Kadri Veseli: Jap dorëheqje nëse del një indikacion i përfshirjes sime në aferën e 200 mijë eurove

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka deklaruar sot se nuk është i përfshirë në një aferë në të cilën është përmendur emri i tij.

Në një xhirim të publikuar mbrëmë nga KTV, një person, Kadri Rexhepi, përmend emrin e Kadri Veselit, duke aluduar se ai ka marrë 200 mijë euro në një rast që ka të bëjë me ndërtimin e një spitali në Prishtinë.

Por veseli thotë se rasti është i manipuluar.

“Më është permendur nga disa persona emri im. Dua të deklaroj që unë nuk kam të bëj me këtë rast dhe as me personat në atë rast”, tha Veseli sot në një deklaratë para gazetarëve.

Pasi ka përfundyar deklaratën, Veseli është larguar pa pritur pyetje të gazetarëve.

“Ky është rast klasik i mashtrimit dhe i manipulimit për çfarë jam i bindur se edhe organet e hetuesisë dhe drejtësisë kanë qenë në dijeni me kohë”, shtoi ai.

“Nëse del vetëm një indikacin i përfshirjes sime në këtë aferë, nga sot deklaroj se do të jap dorëheqje”, tha Veseli.

Ai pretendon se emri i tij në këtë rast është përdorur qëllimisht.

“Dikush duhet të japë përgjegjësi institucionale dhe penale. Kush janë ata që e kanë mbuluar këtë krim qe gjashtë vite? Pse këto video incizime kanë qenë në sirtar të Policisë kaq shumë vjet e nuk janë trajtuar? Personat që shihen në video nuk i njoh. Këtu kemi të bëjmë me dy krime, krimin e bërë dhe krimin e kryer”, tha ai.

Paraburgim për grupin e Ismet Osmanit – Currit

“Gjashtë vjet të mbahet krimi i fshehur, është krim edhe më i madh. Pa asnjë dyshim, duket qartë se kjo është një skemë e krimit të organizuar dhe po ju siguroj se kësaj pune do t’i shkohet deri në fund. Deri në qartësimin e plotë të rastit dhe sjelljes para përgjegjësisë penale të të gjithë atyre që janë të përfshirë në keqpërdorimin dhe tentimin për njollosje të emrit tim. Dikush duhet të marrë përgjegjësi. Dikush duhet të përgjigjet për tërë këtë”, ka thënë Kryeparlamentari Kadri Veseli.​