Kadri Veseli 'e nis fushatën', premton rritje të buxhetit për FSK-në

Në kazermën “Adem Jashari” në prani të shumë qytetarëve është duke u mbajtur ceremonia e certifikimit të mbi 330 rekrutëve të rinj.

Në këtë ceremoni nuk po merr pjesë presidenti i Vendit, Hashim Thaçi, ndonëse ishte paralajmëruar.

Në këtë ceremoni po merr pjesë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Veseli, tha se buxheti për FSK-në do të rritet, por pa specifikuar ndonjë shifër.

“Sot është një ditë krenarie për të gjithë ne. Ju jeni pjesë e ushtrisë më të re ne botë. Ne ndihemi krenar me ju, ju e keni nderuar atdheun edhe në garat ndërkombëtare. Me ju Kosova ndihet më e sigurt, në të tashmen dhe në të ardhmen e saj. Ne nuk e kërcënojmë askë, por as nuk do të lëmë askë që të na cenoj lirinë tonë. Ne do të rrisim buxhetin për ushtrinë, ne kemi mundësi ta bëjmë këtë dhe do ta bëjmë. Kosova ka vetëm një rrugë, rrugën për zhvillim ekonomik”, tha Veseli.

Rrahman Rama, Komandanti i Forcave të Sigurisë se Kosovës, tha se pret që transformimi i ushtrisë të përfundoj me sukses

“Unë jam i lumtur që me angazhimin tuaj FSK nga sot do t’i ketë djemtë dhe vajzat më të zotët. FSK është forcë kredibile dhe multietnike, e gatshme të shërbej edhe në rajon e botë. Me përkrahjen e partnerëve strategjik, rrugëtimi do të jetë me i lehtë. Transformimi ka filluar dhe ju jeni këtu të kontribuoni, në mënyrë që të kryejmë fazën e tranzicionit me sukses. Ushtarë të nderuar, urime certifikimi”, tha Rama.

Rrustem Berisha, ministër në largim i Mbrojtjes tha se anëtarësimi në NATO është ndër synimet strategjike të FSK-së.

“Kjo është e rëndësishme për FSK, për vendin, për ju dhe familjarët e juaj. Ju jeni me fat sepse jeni ushtarët e parë që i bashkoheni FSK me mandatin e ri. Do të nderoni uniformën dhe atdheun, do të mbroni lirinë e vendit tonë. Jam krenar me të gjithë anëtarët e FSK-së që po e përfaqësojnë Kosovën në shkollat e NATO-s. Trajnimi bazik është hapi parë, ju duhet të jeni ambicioz që të arrini më shumë. FSK-së sot po i bashkohen 337 pjesëtarë të rinj, nga ta 52 vajza/gra dhe 22 pjesëtarë nga komunitetet. Synimi strategjik është anëtarësimi në NATO, me djem dhe vajza si ju, anëtarësimi është i sigurt”, tha Berisha.