Kadaj-Bujupi propozon rezolutë për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë

Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme plenare ka futur në rend të ditës edhe një propozim-rezolutë  në lidhje me krijimin e “Këndit të kurajos”, e cila do t’i dalë në mbështetje grave të dhunuara seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Këtë propozim e bëri deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, e cila kërkoi votimin e kësaj nisme.

Deputetja prezantoi edhe përmbajtjen e propozim-rezolutës.

“Qeveria e Kosovës, Presidenca dhe Kuvendi i Kosovës të mbështesin një hapësirë brenda institucioneve ku pasqyrohen punimet e viktimave të dhunës skesuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Këto punim-dore do të mundësohen nga Qendra të ndryshme siç është Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijeturave të Torturës dhe Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas. Medica Gjakova e të tjera”, tha ajo.

“Hapësira e dedikuar për ekspozimin e punimeve artizanale të quhet ‘Këndi i Kurajos’. Punimet e prodhuara të ekspozohen në këto tri hapësira institucionale në mënyrë që edhe të ardhurat nga shitja e këtyre punimeve të ndihmojnë në ekonominë familjare të këtyre grave. Kjo rezolutë të hyjë në fuqi sot, pra në ditën e miratimit të saj”, tha deputetja.

Kjo pikë u fut në rend dite me 83 vota për të deputetëve të Kuvendit.