Kryeministri Haradinaj në seancën e Kuvendit.

Kabineti i Kryeministrit Tregon Pse Ai Nuk Mori Pjesë në Interpelancë

Kabineti i kryeministrit Ramush Haradinaj ka treguar se pse ai nuk mori pjesë në interpelancën e sotme parlamentare.

Sipas kabinetit, kryeministri do të shkojë në interpelancë sipas ftesës së deputetëve në një seancë tjetër.

“Sot agjenda ka qenë e ngarkuar dhe e planifikuar shumë kohë më parë”, thekson për KALLXO.com kabineti i kryeministrit.

Për sot në Kuvendin e Kosovës ishte paraparë të mbahej interpelancë e kryeministrit Ramush Haradinaj në lidhje me veprimet e ministrit të Diasporës, Dardan Gashi i cili kishte gjuajtur me armë gjatë një ahengu, por Haradinaj nuk ka qëndruar në sallë.

Këshilltari për media i Kryeministrit Haradinaj, Halil Matoshi tha për KALLXO.com se janë rrugës për në Komunën e Gjilanit, ku me agjendë kanë takim me kryetarin e kësaj komune, Lutfi Hazirin.

“Kryeministri paradite ka qenë në seancë dhe sot sipas agjendës së përcaktuar kohë më parë është në vizitë zyrtare të Kuvendit Komunal, përkatësisht tek kryetari i Komunës së Gjilanit”, tha shkurtimisht Matoshi për KALLXO.com

Interpelancën e kanë kërkuar grupi parlamentar i LDK-së për veprimet e ministrit Gashi.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti tha në Kuvend se kërkon që pika e rendit të ditës të zhvendoset për më vonë, sapo të kthehet Haradinaj në seancë.

http://kallxo.com/haradinaj-nuk-shkon-ne-interpelance/

“Kemi kërku këtë interpelancë për veprimet e një ministri të tij që bie ndesh me kodin penal. Ne kërkojmë që kjo pikë të vendoset më poshtë në agjendë dhe debatin ta vëmë kur kryeministri të vijë në sallë”, tha Hoti gjatë fjalës së tij në seancë.