Juniku e Deçani paralajmërojnë fillimin e procesit mësimor nesër

Edhe nxënësit e Junikut dhe të Deçanit do të fillojnë mësimin nesër.

Komuna e Junikut në faqen e saj zyrtare në Facebook ka shkruar se mësimi në këtë komunë do të fillojë nesër. “Njoftojmë të gjithë qytetarët se nesër me datë 21. 01. 2019, e Hënë fillon gjysëmvjetori i dytë në të gjitha shkollat në Komunën së Junikut sipas orarit paraprak. Të gjithë mësimdhënësve dhe nxënësve ju urojmë sukese”, thuhet në publikimin e Komunës.

Edhe kryetari i Komunës së Deçanit ka paralajmëruar fillimin e mësimit nesër.

Bashkim Ramosaj ka bërë të ditur se që nga nesër (21 janar) do të fillojë mësimi në shkollat e kësaj komune.

Përmes llogarisë së tij në rrjetin social Facebook, Ramosaj ka shkruar se ky vendim u mor pas takimit që zhvilluan me drejtorin e Drejtorisë Komunale për Arsim dhe drejtorët e shkollave të komunës së Deçanit.

“Ftoj të gjithë mësimdhënësit dhe nxënesit që të jenë në objektet shkollore sipas orarit të rregullt. Kurse për nesër kam ftuar Këshillin Grevist dhe përfaqësuesit e Sindikatës që nesër me dt 21.01.2019 ora 8:00 të jenë në takim në zyrën e Kryetarit të Komunës, me qëllim ta tejkalojmë këtë situatë e cila pas deklaratës së Kryeministrit Haradinaj është e pa pranueshme të vazhdojë.”, ka deklaruar më tej Ramosaj.

Vendimi i këtyre dy komunave që drejtohen nga partia e kryeministrit Haradinaj, AAK, është marrë pas propozimit të Qeverisë për rritjen e pagave për mësimdhënësit e arsimit parauniversitar.

https://kallxo.com/dorezohet-haradinaj-rrit-pagat-per-mesimdhenesit/

Ndërsa, SBAShK-u ka njoftuar se greva do të vazhdojë.

https://kallxo.com/sbashk-greva-vazhdon/

www.kallxo.com