Johannes Hahn, komisioneri i BE-së për Politika të Fqinjësisë e Negociata për Zgjerim, s - Foto: KALLXO.com

Johannes Hahn Këtë Javë në Kosovë

Komisioneri evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Negociatat për Zgjerim, Johannes Hahn, do të vijë gjatë javës në Kosovë.

Lajmin e bëri të ditur kryeministri Isa Mustafa gjatë konferencës “Ecje mbi akull: Kushtëzime, sfida dhe reforma drejt BE-së”, të organizuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Me këtë rast, kryeministri Mustafa përmendi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, të nënshkruar para një viti. Ai tha se MSA është marrëveshja e parë kontraktuale me BE-në si shtet.

Kryeministri tha se është punuar në disa fusha dhe se do të punohet edhe më tej në reforma në drejtime të ndryshme.

Po ashtu, shefi i Qeverisë përmendi edhe dialogun me Serbinë, për të cilin tha se ka rezultate pozitive nga ky dialog, por se “nuk jemi krejt të kënaqur me atë që është arritë, ka ende punë për t’u bërë”.

“E sa i përket demarkacionit, që bizneset të kenë qasje, ne si Kosovë kemi qenë joparimorë, në radhë të parë opozita, sepse po ta pyeste Mali i Zi opozitën atje për çështjen e Kosovës, opozita proserbe e proruse atje kurrë nuk do ta njihte Kosovën”, tha Isa Mustafa.