Dalibor Jevtiq | Foto: BIRN

Jevtiq Kërkon Hetim për Ndërhyrjen në Veri

Zëvendëskryeministri dhe ministri për Komunitete dhe Kthim Dalibor Jevtiq kërkoi hetim de gjetje të përgjegjësve për ndërhyrjen në Mityrovicë kur u arrestua Marko Gjuriq.

Duke folur në mbledhjen e qeverisë Jevtiq deklaroi se ka xhirime dhe nuk është e vështirë të konstatohet përgjegjësia.

Ministri serb tha se nuk mund të ishte ndërhyrja vendim i qeverisë, pasi deklaroi se vendimet e saj duhet të diskutohen në mbledhje dhe një gjë e tillë nuk u bë.

Jevtiq pyeti pse ata që ishin në sallën në Mitrovicë u shtrinë në dysheme pas ndërhyrjes së policisë, kur sipas tij nuk ishin as dilerë droge, as kriminelë, e as nuk kishin probleme me ligjin.

“32 njerëz janë lënduar atë ditë, 32 njerëz që nuk ka në pasur asgjë tjetër por vetëm laps dhe fletore. A kanë qenë lapsat dhe fletoret tona kërcënim”, pyeti Jevtiq.

A e keni thirrur dikush ministrin Nenad Rikalo për t’i treguar se çfarë i ndodhi.

Rikallo ishte njëri nga të lënduarit gjatë ndërhyrjes së policisë për ta arrestuar shefine Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriq.

Ai deklaroi se do t’i vinte personalisht turp sikur një shqiptar të trajtohej në Beograd, ashtu si u trajtua Gjuriq në Prishtinë.

Jevtiq deklaroi se beson që të gjithë këtu pajtohen se ajo që ndodhi të hënën ishte e panevojshme.

Jemi për bisedime, nuk ka asnjë metodë tjetër përveç dialogut, por duhet të shohim edhe vepra, jo veç fjalë, tha Jevtiq.

Ai deklaroi se Asociacioni i Komunave Serbe duhet të krijohet, ashtu siç dikush ka marrë obligime.

Jevtiq, ashtu siç tha dje, tha se është në mbledhjen e qeverisë për t’ua thënë kabinetit në sy ato që mendojnë serbët.

“Erdha t’u shoh në sy për t’u treguar çfarë vërtet mendojmë. Mos e trajtoni dorën tonë të shtrirë të bshkëpunimit, ashtu siç e trajtuat  të hënën”, tha Jevtiq.

Kryeministri Haradinaj, por edhe zëvendësi i tij Enver Hoxhaj, thanë se aksioni i së hënës nuk ishte i drejtuar kundër serbëve.

“E hëna ka qenë një skenë që s’ka qenë e drejtuar ndaj qytetarëve serbë të Kosovës, as ndaj ministrave e deputetëve. Me vjen keq për ministrin Rikallo, ai është pak i gjate edhe kane mendu qe është dikush tjetër, s’besoj qe e kanë njoftë”, tha Haradinaj.

Enver Hoxhaj tha se Lista Serbe nuk duhe të jetë instrument i Beogradit.

“Veprimi nuk është kundër serbëve në Kosovë, e as kundër askujt por është për respektimin e rendit juridik dhe kushtetues në Kosovë. Apeli im është që Lista Serbe të mos bëhet instrument i Serbisë në Kosovë”, tha Hoxhaj.