Jetë më e Lirë për 0.5 Për Qind

Nga të dhënat e “Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit – IHÇK” të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në vitin 2015 krahasuar me vitin 2014 çmimet ranë me një mesatare prej 0.5%.

Rënia në këtë periudhë është vërejtur te qumështi, djathi dhe vezët (-2.9%), që kanë ndikuar në uljen e indeksit të harmonizuar të çmimeve me -0.3%. ka pasur edhe rënit të çmimit të karburanteve (-11.9%), me një ndikim në IHÇK prej -1.0% dhe shërbimet tjera me një ndikim të përgjithshëm -0.1%.

Treguesi i çmimeve shënoi rritje në këtë periudhë për bukë dhe drithëra (0.6%), mish (1.5%), pemë dhe perime 9.4%, pije alkoolike (7.3%), ku secili nëngrup ndikoi me 0.1% në IHÇK, duhan (6.2%), rrymë, gaz dhe lëndët tjera djegëse (3.0%), me një ndikim 0.2% të secilit nëngrup në IHÇK, si dhe disa nëngrupe të konsumit me një ndikim të përbashkët prej 0.3% në IHÇK.

Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit pësoi rënie për nëngrupet e pemëve (-4.5%), përdorimin e  pajisjeve për transport personal, çmimin e benzinës dhe naftës (-3.0%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0.3% të IHÇK-së. Kjo rënie u neutralizuar kryesisht nga ngritja e IHÇK-së për nëngrupet e perimeve (5.1%) me një ndikim prej 0.2% në IHÇK.

Agjencia e Statistikave të Kosovës krahasoi edhe trendin e çmimeve në mes muajve të 2014-ës dhe 2015-ës.

Sipas statistikave të ASK-së në dhjetor të vitit 2015 në krahasim me dhjetorin e vitit 2014 ka pasur rënie të çmimeve te buka dhe drithërat (-1.6%), qumështi, djathi dhe vezët (-4.6%), perimet (-1.5%), furnizimi me ujë dhe shërbimet që kanë të bëjnë me vendbanimin (-5.3%), rryma, gazi dhe lëndët e tjera djegëse (-4.1%), përdorimi i transportit personal (-8.3%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -1.7% në IHÇK.

Mirëpo ngritje të çmimeve në këtë muaj në raport me dhjetorin e vitit të kaluar ka pasur për mish (1.8%), vajra dhe yndyra (6.9%), sheqer dhe ëmbëlsira (6.7%), pije alkoolike (12.8%), duhan (10.0%), këpucë (4.0%), prodhime dhe pajisje mjekësore (4.0%) dhe shërbime hoteliere (2.1%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.6% në Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit.

Shkalla e inflacionit e matur në muajin dhjetor 2015, me muajin dhjetor të vitit paraprak ishte më e ulët për 0.1%.

Ndërkaq, krahasuar me muajin nëntor 2015, treguesi i harmonizuar i çmimeve të konsumit pësoi rënie për 0.1% në muajin dhjetor 2015.