‘Jeta në Kosovë’ për Zgjedhjet e Serbisë në Kosovë

Sonte në emisionin “Jeta në Kosovë” do të debatohet për zgjedhjet e Serbisë në Kosovë.

Katër deputetë të Kuvendit të Kosovës do të flasin për fushatën e liderëve të Serbisë brenda Kosovës, deklaratat që ata bënë në Kosovë gjatë tubimeve dhe pasojat e këtyre deklaratave.

Emisioni risjell në kujtesë ato që kryeministri serb Aleksandar Vuçiq dhe ministri i jashtëm serb Ivica Daçiq thanë në tubimet e tyre në veri të Kosovës dhe në Graçanicë.

Si vlerësohen këto deklarata nga deputetët e Kuvendit të Kosovës? Cilat janë kriteret që ka përdorur Qeveria e Kosovës për dhënien e lejes së zyrtarëve serbë që të bëjnë fushatë brenda Kosovës? Pse disa politikanë serbë u lejuan të hyjnë në Kosovë e disa të tjerë jo?

Për të diskutuar për këto tema, Muhamet Hajrullahu ka ftuar deputetët Ganimete Musliu (PDK), Arben Gashi (LDK), Ilir Deda (LVV) dhe Nenad Rashiq (PDS).

Në këtë debat Nenad Rashiq flet edhe për një kërkesë të cilën ia kishte bërë drejtpërdrejt kryeministrit Isa Mustafa, por për ta realizuar atë kërkesë i ishte dashur të shkojë në Beograd.

Po ashtu “Jeta në Kosovë” sjellë intervistë me auditorin sapozgjedhur Besnik Osmani.

Në këtë intervistë, Osmani flet se si e ka gjetur ai këtë institucion dhe a do të fillojë Auditori i Përgjithshëm t’i auditojë edhe partitë politike?

Emisioni ‘Jeta në Kosovë’ transmetohet  sonte në orën 20:20 në RTK ndërsa repriza të premten në mesditë.