‘Jeta në Kosovë’ për Kryetarët e Komunave me Aktakuza

Sonte në emisionin “Jeta në Kosovë” u debatua për kryetarët, ish kryetarët dhe zyrtarët komunalë të Kosovës të cilët gjatë viteve kanë pasur punë me drejtësinë.

Aktakuza ndaj kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri është e fundit në vargun e gjatë të kryetarëve të komunave që janë vënë nën akuzë. Në debatin e moderuar nga Muhamet Hajrullahu, panelistët diskutuan për mënyrën se si menaxhohen komunat e Kosovës.

Pse është bërë e rëndomtë në Kosovë që të ketë aktakuza ndaj kryetarëve dhe zyrtarëve komunalë?

A duhet të ketë moral politik në Kosovë që një akuzuar t’u lëshojë udhë hetimeve duke u larguar nga posti?

Çfarë ndryshimesh ligjore nevojiten që njerëzit nën akuzë të mos mund të kandidojnë apo ta ushtrojnë funksionin publik?

A po baltosen zyrtarët komunalë të cilët po vihen në thumb të kritikave sapo po u shpallen aktakuzat, ende pa marrë gjykata një vendim?

Për këto dhe tema të tjera, në këtë emision debatuan:

Besnik Osmani, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal;

Qemajl Mustafa, ish kryetar i komunës së Gjilanit;

Hajrulla Çeku, OJQ “EC ma Ndryshe”, Prizren dhe

Kreshnik Gashi, Redaktor i “Drejtësia në Kosovë”.

Në kuadër të emisionit u transmetua një përmbledhje e zyrtarëve dhe ish zyrtarëve komunalë që kanë qenë dhe janë nën hetime.

Gjithashtu “Jeta në Kosovë” sjell një hulumtim që tregon se si profesori universitar, Fevzi Berisha, anëtar i Këshillit Drejtues të UP-së, u avancua duke paraqitur një punim shkencor të papublikuar në revistën në të cilën po pretendon.

Në fund, “Jeta në Kosovë” risjell pas nëntë vitesh një intervistë me ish- kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçi, atëbotë në opozitë, në të cilën flet për atë se si e sheh ai Kosovën e pavarur, komunat e reja dhe ushtrinë e Kosovës.

Emisioni “Jeta në Kosovë” transmetohet në RTK sonte në orën 20:20 dhe repriza të premten në mesditë.