Foto: Facebook

Jeta në Korrupsion Përmes Humorit të ‘Stupcave’

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) prezantoi sot projektin, i cili parasheh trajtimin e temës së korrupsionit në një mënyrë pak më të veçantë.

Trajtimi dhe luftimi i kësaj dukurie do të bëhet përmes skeçeve humoristike, të cilat do të realizohen nga grupi “Stupcat”.

Diskriminimi në bazë të statusit social dhe jeta e një fëmije që lind në një familje të pasur në një shoqëri të korruptuar janë subjekti i këtyre skeçeve.

Ky bashkëpunim ka shënuar vitin e tretë sivjet dhe vjen si rezultat edhe i mbështetjes nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Danimarkës (DANIDA).

Alessandra Roccasalvo, zëvendësdrejtoresha e UNDP-së, vlerësoi se kjo mënyrë e trajtimit të temës së korrupsionit do të ndikojë në përcjelljen më të shpejtë të mesazhit.

“Është një çështje serioze por nuk do të thotë se duhet të flasësh për të vetëm në mënyrë serioze. Jam e sigurt se kështu do të mbahet në mend më shumë se fjalimet e shumta që i bëjmë për korrupsionin”, tha Roccasalvo.

Ndërkaq, Mensur Safqiu, një nga tre anëtarët e grupit “Stupcat”, bëri thirrje që qytetarët të përfshihen sa më shumë në luftën kundër korrupsionit.

“Korrupsioni, fatkeqësisht, Kosovën është duke e përcjellë nga lindja. Në qoftë se e kthejmë kokën mbrapa në kohë do të turpërohemi. Në qoftë se shikojmë sot do të tmerrohemi dhe nëse e presim nesër këtë gjendje do të trishtohemi. Konsideroj se është obligim i secilit prej nesh që në çdo hap ta luftojmë, ta tregojmë dhe ta lakuriqojmë nëse jo për vetveten – për fëmijët tanë”, u shpreh Safqiu.

Edhe KALLXO.com është platformë e luftës kundër korrupsionit, e cila qytetarëve të Kosovës ua ofron mundësinë që të raportojnë rastet e kësaj natyre.

http://kallxo.com/stupcat-dhe-undp-video-kunder-korrupsionit/