Siriani Bekri Shishman (në mes) para dyqanit të tij në Prizren

Jeta e Shijshme e Sirianit Shishman në Prizren

Bekri Shishman mirëpret klientët e tij me një shqipe të rrjedhshme në dyqanin e tij të parfumeve në qendër të Prizrenit. Ai ka filluar këtë biznes para tre vitesh e gjysmë prej se është larguar nga Siria.

Shishman, 48 vjeçar pranon se aftësitë e gjuhës shqipe i ka fituar shumë kohë më parë, përmes familjes së tij. “Nëna ime është një shqiptare nga Gjakova dhe ne gjithmonë kemi folur në shqip në shtëpi,” thotë ai.

Babai i tij, psikiatër, ka studiuar në Sarajevë, dhe kishte takuar atje shumë shqiptarë. Pas disa vizitave në Kosovë, atë e njoftuan me nënën e Shishmanit. Po ashtu, Shishman ka takuar një grua shqiptare në Prizren kur ai vizitonte Kosovën si i ri. Ata kanë tre djem.

Shishman tha se ai dhe familja e tij janë detyruar të largohen nga Siria për shkak të luftës së ashpër civile ndërmjet grupeve të armatosura që kundërshtojnë Presidentin Bashar al Asad, po ashtu edhe të militantëve xhihadistë nga Shteti Islam, të njohur si ISIS.

“Unë kam lindur në Alepo. Kur filloi lufta, u bë shumë keq. Kemi pritur një vit e gjysmë por situata po bëhej edhe më e keqe, kështu që u larguam,” thaShishman për KALLXO.com.

Siriani Bekri Shishman dhe djali i tij, brenda dyqanit në Prizren
Siriani Bekri Shishman dhe djali i tij, brenda dyqanit në Prizren

Ai thotë se ishte posaçërisht i brengosur për djemtë e tij sepse regjimi i Asadit do t’i rekrutonte ata në ushtri posa të përfundonin studimet në universitet.

Në vendin e tij, Shishman ka qenë profesor i gjuhës arabe. Po ashtu, ai ka shitur parfume pas përfundimit të ligjëratave.

“Çdo kush në Siri e ka pasur një punë të dytë. Ndryshe nuk mund të jetosh mirë,” thotë ai. Ai ka vazhduar biznesin e njëjtë në Prizren dhe është i lumtur se si po i ecën puna.

Shishman tregon një llap-top dhe paraqet një lajm në arabisht për iniciativën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të mbështetur një marrëveshje paqësore për Sirinë. “Ata po thonë se diçka mund të bëhet në gjashtë muaj por unë dyshoj së bisedimet mund të fillojnë së shpejti,” thotë ai.

Ai i përcjell lajmet për situatën në vendin e tij për çdo ditë. Motra e tij është ende në Alepo dhe ata mbajnë kontakte përmes internetit.

Ndërsa, lajmet nga qyteti i dytë më i madh i Sirisë janë larg së qeni të mira. “Ajo më thotë se rrymë ka nga gjysmë ore në ditë ndërsa uji vjen një ditë në tri javë,” tha Shishman.

Ai më së shumti fajëson Presidentin Asad për shpërthimin e luftës civile, për të cilën disa aktivistë dhe OKB-ja vlerësojnë se kanë vdekur 250,000 Sirianë deri tani.

Shishman beson se Asadi ka mundur lehtësisht të zgjedh protestat kundër qeveritare kur ato shpërthyen në mars të vitit 2011.

Ai thotë se kërkesat e protestuesve ishin për lirimin e disa të rinjve të cilët ishin arrestuar dhe torturuar e të cilët kërkuan më shumë drejtësi, liri dhe barazi.

Në vend të kësaj, Shishman thekson, forcat e sigurisë së Asadit hapën zjarr mbi demonstruesit të cilët rriteshin në numër.

“Asadi po ashtu lironte shumë të burgosur për ti shtypur demonstruesit,” thotë ai.

Shishman thotë se shumica e njerëzve luftuan për më shumë drejtësi dhe ai fajëson qeverinë për ngritjen e ISIS-it. “ISIS është prodhim i Asadit.”

Ai merr si shembull kur ISIS mori kontrollin mbi një qytet, forcat e Asadit nuk i sulmoi ata – por bëri të kundërtën kur Al-Nusra, një grup kundërshtar i ISIS-it, morën përsipër kontrollin në atë qytet.

Shishman thotë se Rusia i ka ofruar një marrëveshje të mirë për të ndihmuar Asadin për të cilët i ktheu disa ndere shumë të rëndësishme. Ai thotë se Asad ka refuzuar që gypat e gazit të kalojnë nëpër Siri nga Katari fqinj, e cila kishte për qëllim që të shes gaz në Evropë, me kërkesë të Rusisë.

Ai po ashtu insiston se Myslimanët në Siri kanë jetuar në paqe me të Krishterët, Kurdët, Ortodoksët e shumë të tjerë.

Për atë, lufta ka shumë pak të bëjë me Islamin. “Nuk ka pasur Vahabista, as kësi me mjekra në Siri. Kemi jetuar shumë mirë,” thotë ai.

Ai thotë se Kosovarë nuk po i bashkëngjiten ISIS-it për para por sepse ata besojnë se janë duke ndihmuar për kauzën fetare. “Njetin e kanë të mirë ndoshta por punën e kanë keq atje,” thotë ai.

Shishman thotë se gratë në Siri kanë jetuar një jetë të dinjitetshme. “Gratë tona kanë festuar nëpër dasma deri herët në mëngjes. Kanë pasur dukat deri në bërryla por askush nuk i ka ngacmuar,” kujton ai.

Në ndërkohë, Shishmani është i gëzuar me jetën e tij të re në Prizren. Dy djemtë janë në universitet atje.

Por ai do të kthehet në Siri nëse mbaron lufta, për shkak se ai la një shtëpi, dy apartamente, zyrën e të atit të tij dhe një depo atje. “Unë dua që të kthehem në vendin tim,” përfundon ai.