Foto: KALLXO.com

Jeremiq: Ditë e humbur ajo kur nuk takohem me ndonjë shqiptar, për të biseduar ose pirë kafe

Dragisha Jeremiq, prift ortodoks në Kamenicë, i cili ka shtatë vjet që jeton në këtë qytetet, ka thënë në debat se për të është ditë e humbur ajo kur nuk takohet me ndonjë shqiptar qoftë për të biseduar ose pirë kafe.

“Unë jam prift i Kishës Ortodokse Serbe, në Kamenicë të Kosovës, por, për mua është ditë e humbur nëse gjatë ditës nuk jam takuar e biseduar me fqinjët shqiptarë, shpeshherë duke pirë kafe. Kjo në Kamenicë është krejtësisht e natyrshme dhe normale. Unë kam bashkëpunim të shkëlqyer edhe me imamët këtu në Kamenicë”, ka thënë Jeremiq.

Jeremiq ka shtuar se serbët e shqiptarët gjithmonë kanë qenë afër njëri- tjetrit në Kosovë, ndërsa tash të gjithë duhet ta marrin shembull Kamenicën.

“Shumë të tjerë mund të vijnë këtu dhe të marrin shembull të bashkëjetesës së shqiptarëve, serbëve, romëve e të gjitha kombësive të tjera, se si duhet të jetohet në Kosovë. Unë jam i lindur në Kosovë, dhe nuk di të ketë pasur vend ku ka pasur vetëm serbë apo vetëm shqiptarë”, ka shtuar ai.

Tutje Jeremiq ka thënë se qytetarët duhet të distancohen nga tensionet politike dhe të vazhdojnë bashkëpunimin.

Jeremiq ishte pjesëmarrës në serinë e debateve #debatpernime të organizuar në Kamenicë për bashkëjetesën etnike ndërmjet shqiptarëve, serbëve dhe romëve.

www.kallxo.com