shkolla

Jepet fjala përfundimtare në rigjykimin ndaj drejtoreshës së shkollës Behare Kryeziu

Drejtoresha e shkollës në Prizren, në gjykim për falsifikim të dokumentit zyrtar.

Behare Kryeziu, drejtoreshë e Shkollës ‘Mustafa Bakiu’ në Prizren, po akuzohet për falsifikim të dokumentit zyrtar.

Behare Kryeziu në muajin mars të vitit 2016 ishte përzgjedhur si kandidatja më e suksesshme si Drejtoreshë e Shkollës ‘Mustafa Bakiu’ në Prizren.

Ndaj saj Prokuroria e Prizrenit, në vitin 2017 kishte ngritur aktakuzë për veprën penale të falsifikim të dokumentit zyrtar.

Drejtoresha Behare Kryeziu është bashkëshortja e zyrtarit të lartë të PDK-së në Prizren, Nijazi Kryeziut.

Nijazi Kryeziu është edhe njëri ndër të akuzuarit në rastin ‘Pronto’, i njëjti gjatë viteve të fundit ka mbajtur disa pozita të ndryshme politike.

Ai në të kaluarën ka qenë Kryesues i Asamblesë Komunale Prizren, ndërsa më vonë edhe Drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prizrenit.

Së fundmi Nijazi Kryeziu para se të ngritej aktakuza ndaj tij në rastin ‘Pronto’, ai ka qenë këshilltar i kryetarit të parlamentit të Kosovës, Kadri Veselit.

Sipas aktakuzës, Behare Kryeziu, në cilësinë e personit zyrtar si drejtoreshë e shkollës, në dokument zyrtar ka shënuar të dhënat e rreme e pastaj vet e nënshkruan dhe e vulos me vulën e shkollës.

Prokuroria thotë se e njëjta në kohën shkurt, mars 2017, ka lëshuar vërtetim, se S.A., në shkollën ku e akuzuar është drejtoreshë, kishte bërë zëvendësimin e edukatores gjatë pushimit të saj, për 6 muaj.

Këtë vërtetim dëshmitarja S.A., po atë ditë e kishte dorëzuar në Drejtorinë e Kulturës dhe Arsimit në Prizren, lidhur me një konkurs të shpallur për vend pune.

Aktakuzën e prokurorisë e përfaqëson prokurori Metush Biraj.

Në maj të vitit 2018, pas gjykimit dhe vlerësimit të provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve, trupit gjykues në përbërje prej Skender Çoçaj kryetar dhe anëtarët, Gani Kastrati e Kymete Kicaj, të akuzuarën Behare Kryeziu e kishte gjetur fajtore për veprën penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar.

Me aktgjykim dënues trupi gjykues Behare Kryeziun e ka dënuar 6 (gjashtë) muaj burgim me kusht.

Në fillim të vitit 2019, Gjykata e Apelit rastin e saj e ka kthyer në rigjykim.

Tash kur rasti është kthyer në rigjykim, duke marrë parasysh se gjyqtari Skender Çoçaj është zgjedhur si Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, rasti i drejtoreshës së shkollës i ka kaluar në gjykim turpit të rigjykues, me kryetare gjyqtaren Ajser Skenderi dhe anëtarët Artan Sejrani dhe Kymete Kicaj.

Në seancën e ditës së Martë, ka filluar dhe ka përfunduar rigjykimi ndaj të akuzuarës për falsifikim të dokumentit zyrtar, Behare Kryeziu.

Në këtë seancë të rigjykimit, përveç fjalës hyrëse, janë dëgjuar edhe dëshmitarët Selim Osmani dhe Suzana Ajazi, po ashtu është marr në pyetje e akuzuara Behare Kryeziu, si dhe është dhënë fjala përfundimtare nga palët në procedurë.

Mbrojtësi i të akuzuarës Kryeziu, avokati Kujtim Kërveshi, në fjalën hyrëse, ka thënë se prokuroria nuk ka ofruar asnjë provë me të cilën e mbështet aktakuzën.

Njëri nga dy dëshmitarët e vetëm të këtij rasti është Selim Osmani, i cili është sekretar në shkollën fillore “Mustafa Bakiu” në Prizren, në bazë të të cilit edhe është inicuar kjo procedurë penale.

Në pyetjen e kryetares së trupit gjykues, gjyqtares Ajser Skenderi, se a ka kryer praktikë Suzana Ajazaj në shkollën “Mustafa Bakiu”, ku ai është sekretar, dëshmitari ka thënë se ajo nuk ka kryer praktikë në këtë shkollë.

Dëshmitarja Suzana Ajazaj, tha se vërtetimin e 23 nëntorit 2016, të cilin sipas prokurorit, ajo e ka dorëzuar në Drejtorinë Komunale të Arsimit (DKA), në muajin shkurt-mars 2017, të njëjtin vërtetim sipas ia kishte lëshuar drejtoresha e shkollës Behare Kryeziu.

Kur prokurori Biraj e pyeti dëshmitaren se në shkollën ‘’Mustafa Bakiu‘’ a e ka kryer vetëm praktikën apo edhe e ka zëvendësuar edukatoren për gjashtë muaj, dëshmitarja ka thënë se vetëm e ka kryer praktikën aty.

Dëshmitarja Ajazaj gjithashtu shtoi se vërtetimin që e kishte lëshuar drejtoresha nuk e kishte lexuar dhe as pare.

“Nuk e kam lexuar përmbajtjen pasi që ka qenë dita e fundit për aplikim dhe jam ngutur që t’i mbledh të gjitha dokumentet dhe se atë vërtetim së bashku me dokumente të tjera, e kam dorëzuar në DKA në Prizren”, tha ajo.

Avokati Kërveshi, e ka pyetur dëshmitaren gjithashtu se ditën kur ka shkuar me marr atë vërtetim, nëse e ka parë që përpilimin e atij vërtetimi e ka bërë drejtoresha, e ka vulosur, e ka nënshkruar dhe e ka regjistruar në libër të protokollit, por dëshmitarja ka thënë se nuk e ka parë një gjë të tillë.

Pas dëshmitarëve mbrojtjen e ka dhënë e akuzuar Behare Kryeziu, e cila tha se ndaj dëshmitarit respektivisht sekretarit Selim Osmani, kishte inicuar procedure disiplinore dhe se I njëjti edhe ishte suspenduar nga puna, dhe gjatë kohës së suspendimit të tij, sipas të akuzuarës, ai është marr me këto dokumente dhe ka inicuar procedurën penale ndaj saj.

E akuzuar Behare Kryeziu tha se deri më sot atë vërtetim që është si objekt i akuzës, nuk e ka marr nga askush, duke shtuar se derisa dokumenti nuk është në origjinal, nuk mund të thotë se është nënshkrimi i saj.

Për më tepër, ajo ka thënë se ka qenë detyrë e sekretarit të shkollës të cilit i ka thënë se ai vërtetim duhet të anulohet, pasi që sipas saj, është lëshuar gabimisht, duke thënë se pasi që komisioni disiplinor e ka suspenduar sekretarin, është kuptuar se ai vërtetim është lëshuar gabimisht.

Duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Sejrani, se a ka qenë në zyrën e saj Suzana Ajazaj, ajo ka thënë se nuk i kujtohet pasi që nuk e ka njohur, por sipas saj, Ajazaj i ka treguar se ka qenë praktikante në atë shkollë, dhe se në bazë të fjalëve të saj, e akuzuara ia ka lëshuar vërtetimin.

Brenda ditës së martë gati në përfundim të orarit u dha edhe fjala përfundimtare në rigjykimin që u zhvillua brenda ditës.

Në përfundim u dha edhe fjala përfundimtare, nga prokurori dhe mbrojtësi I të akuzuarës.

Avokati Kujtim Kërveshi tha se prokuroria e bazon akuzën në provat që nuk u dihet prejardhja, vërtetime e kopje, për të cilat nuk është vërtetuar vërtetësia asnjëherë.

Kryetarja e trupit gjykues Ajser Skenderi ka caktuar ditën e premte për shpalljen e vendimit gjyqësor pas këshillimit dhe votimit të trupit gjykues.