Jepet Fjala Përfundimtare në Gjyqin Ndaj Çoçajt e Budurit

Mehdi Sefa, Prokurori në rastin e gjykimit të drejtorit të Arsimit në Prizren, Nexhat Çoçajt dhe të drejtorit të Gjimnazit “Gjon Buzuku”, Shaip Buduri, kërkoi sot në fjalën përfundimtare që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Prokurori Sefa, i cili ka zëvendësuar kolegun e tij të suspenduar Bajram Hamitaga, tha se qëndron plotësisht pranë aktakuzës. Ai theksoi se në cilësinë e personave zyrtarë, duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar, në mënyrë të kundërligjshme të akuzuarit kanë mundësuar dobi për tjetrin, në rastin konkret për profesorin Besnik Krasniqi, duke i mundësuar punësim jo të ligjshëm.

Prandaj, tha ai, kërkoj nga trupi gjykues që të akuzuarit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit.

Ndërsa, mbrojtja e kundërshtoi në tërësi aktakuzën me arsyetimin se ajo është e pabazuar në prova dhe fakte.

“Nëse me vëmendje e analizojmë dispozitivin e aktakuzës dhe provat të cilat janë administruar nga trupi gjykues e sidomos me dëgjimin e dëshmitarëve dhe vet të akuzuarve këtu dhe Ligjin për Arsimin dhe provat materiale që janë proceduar, me plot gojën mund të them se aktakuza juridikisht dhe faktikisht nuk mund të qëndrojë”, tha Esat Gutaj, avokati i të pandehurit Shaip Buduri.

Për më tepër, avokati Gutaj tha se klienti i tij nuk është punëdhënës dhe nuk ka mundur as ta punësojë e as ta largojë nga puna profesorin Besnik Krasniqi, prandaj edhe nuk e ka kryer veprën penale.

Aktakuzën e kundërshtoi edhe mbrojtësi i të akuzuarit Nexhat Çoçaj.

Avokati Rexhep Hasani tha se për rastin konkret në bazë të udhëzimit administrativ nuk është dashur të hapet konkurs dhe se klienti i tij në bazë të këtij udhëzimi ka qenë i detyruar të nënshkruajë kontratë me profesorin Krasniqi, i cili deri në atë kohë ka qenë drejtor në një shkollë tjetër.

Prandaj, kërkoi nga trupi gjykues të marrë aktgjykim lirues.

Të akuzuarit e mbështetën në tërësi fjalën përfundimtare të mbrojtësve të tyre.

Sipas aktakuzës, drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Nexhat Çoçaj, i ka nënshkruar në mënyrë të kundërligjshme kontratën e punës Besnik Krasniqit. Ai punësimin e Krasniqit e ka bërë pa shpallur konkurs për vendin e punës – profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe.

Ky i fundit kishte punuar edhe pa kontratë pune në gjimnazin “Gjon Buzuku”, drejtor i të cilit është dhëndri i tij, Shaip Buduri.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 16 maj.

Në Gjykatën Themelore të Prizrenit Çoçaj është duke u gjykuar edhe për dy raste të tjera të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar, për të cilat KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi.

http://kallxo.com/cocaj-dha-mbrojtjen-per-javen-e-remzi-ademajt/

http://kallxo.com/nje-muaj-paraburgim-per-drejtorin-e-arsimit-ne-prizren/