Ragip Begaj, kryetar i komunës së Malishevës. Foto: Atdhe Mulla

Jepet Fjala Përfundimtare në Gjykimin e Ragip Begajt

Prokurori i Prokurorisë Speciale Haki Gecaj kërkoi shpalljen fajtor dhe dënimin e Begajt që akuzohet se i shkaktoi dëm një punëtori të arsimit duke ia shkelur të drejtat nga marrëdhënia e punës.

“Pas administrimit të provave vërtetohet përtej çdo dyshimi se në veprimet e të akuzuarit manifestohen elementet e veprës penale për të cilën akuzohet,” tha Gecaj

Prokurori më tutje tregoi se Begaj ia shkeli të drejtat drejtorit Shemsi Morina duke e pushuar atë nga puna.

“Me datë 05.08.2014 në bazë të aktvendimit të dëmtuarit Shemsi Morina i ndërpritet marrëdhënia e punës drejtor në Shkollën Fillore ‘Ganimete Tërbeshi’ dhe i pushojnë të gjitha të drejtat dhe obligimet duke shfuqizuar kontratën e punës,” sqaroi prokurori.

Ndërsa, mbrojtja e kundërshtoi në tërësi aktakuzën me arsyetimin se ajo është e pabazuar në prova dhe fakte.

“Aktakuza si e tillë nuk sqaron dhe nuk arsyeton veprimin inkriminues të të akuzuarit të mbështetur në prova, ndërsa provat që janë administruar nuk kanë vërtetuar në asnjë rast që i akuzuari si kryetar i komunës të ketë ndërmarrë ndonjë veprim inkriminues,” tha avokati Emrush Kastrati.

Avokati Kastrati e akuzoi për mospunë drejtorin Shemsi Morina, të dëmtuarin e këtij procesi gjyqësor.

“Po të thuhet gjithkund se është ndërprerë marrëdhënia e punës në mënyrë të kundërligjshme kur nuk është ndërpre por është transferu, pavarësisht që shkruan ndërprerje e marrëdhënies së punës ai s’ka desht të punoj thjesht, prandaj ne po e mbrojmë sot një person që s’ka desht të punojë,” tha Kastrati.  Shtoj avokati mbrojtës Emrush Kastrati.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Ragip Begaj, gjatë muajve  qershor – gusht të vitit 2014 në cilësinë e personit zyrtar ka shpërdoruar pozitën zyrtare dhe autorizimet e tij, duke hapur konkurs për pozitën e drejtorit  të Shkollës “Ganimete Tërbeshi” në Astrazub, edhe pse drejtori i kësaj shkolle Shemsi Morina kishte kontratë deri më 1 tetor 2015.