Gjykimi i zyrtarit të Policisë së Kosovës Hamdi Tërpeza (Arkiv) - Foto: KALLXO.com

Jep Mbrojtjen Zyrtari i Akuzuar se Kërcënoi Instruktorin e Autoshkollës

Zyrtari i Policisë së Kosovës, Hamdi Tërpeza, dha sot mbrojtjen e tij në gjyqin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Tërpeza tha se nuk është fajtor për veprën për të cilën akuzohet.

Ai tha se në ditën për të cilën akuzohet se e ka kërcënuar Kasim Hoxhën, ai ka qenë në punë.

Atë ditë tha se kishte marrë një thirrje nga vëllai i tij, Artani, i cili kishte qenë shumë i mllefosur në instruktorin e autoshkollës, Kasim Hoxha, pasi që, sipas tij, nuk po e fuste në listën për të hyrë në test për patentë shofer, përkundër faktit se kishte paguar të gjitha shpenzimet.

“Unë e kam marrë një thirrje nga vëllai im Artan Tërpeza deri sa unë isha në punë. Më ka thënë se nuk është duke më shti në test për patentë shofer Kasim Hoxha, të cilit ia kam paguar të gjitha shpenzimet dhe është duke më gënjyer që pesë herë radhazi për hyrjen në test. Unë në telefon e kam pyetur vëllanë se çka është problemi, e vëllai më ka thënë se unë du me e rreh, du sot me i qëru hesapet me të. Unë për mos me ardhë deri te e keqja i kam thënë prit vëllai im se tash vij unë dhe folim se nuk bon me u rreh”, deklaroi i akuzuari.

Më pas tha se në Stacion të Autobusëve kishte shkuar me veturën zyrtare pasi që nuk kishte pasur veturë të tijën.

“Nuk kam pasur veturë timen personale prej frikës se mos po rrehet vëllai dhe po vije deri te më e keqja. Unë kam shkuar me veturë të Policisë por jo brenda në Stacion të Autobusëve”, tha i akuzuari Tërpeza.

Tutje, ai deklaroi se ajo kishte qenë hera e parë që e kishte takuar inspektorin, por tha se nuk kishte biseduar fare me të.

“Ka qenë hera e parë në jetën time që e kam takuar këtë person ngaqë më parë nuk e kam njohur këtë person e as nuk e kam prekur me dorë. E kam hypë vëllain në një taksi dhe i kam thënë le këtë punë me kaq”, shtoi i akuzuari.

Në lidhje me numrin prej të cilit i dëmtuari ka deklaruar se i ka pranuar mesazhet kërcënuese, i akuzuari tha se ai nuk e ka pasur në posedim atë numër dhe se ai numër ka qenë i vëllait të tij, Artanit dhe se në fund të vitit 2015 e ka marrë atë numër në posedim.

“Unë nuk e kam pasur atë numër në atë kohë. Në nëntor të 2015 unë e kam marrë këtë numër në posedim. Ky numër ka qenë i Artanit, nuk e di saktë nga cili vit por ai nga viti 2013 e ka pasur në posedim. Pasi që ka shkuar ai për Zvicër pastaj e kam marrë unë në posedim”, tha Hamdi Tërpeza, duke deklaruar se nuk është në dijeni për këto mesazhe kërcënuese.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më 8 shkurt, kur do të vazhdohet me fjalën përfundimtare.

Sipas aktakuzës, ekziston dyshimi i bazuar mirë se Hamdi Tërpeza në cilësinë e personit zyrtar, duke e shfrytëzuar detyrën zyrtare ka tejkaluar kompetencat zyrtare me qëllim që personi tjetër të përfitojë dobi në atë mënyrë që në cilësinë e të punësuarit në stafin civil të Drejtorisë së Logjistikës së Policisë të Republikës së Kosovës, me qëllim që vëllai i tij Artan Tërpeza ta japë provimin për patentë shofer për kategorinë “B”, pa iu nënshtruar fare provimit nga pjesa teorike dhe praktike.

Më tej në aktakuzë thuhet se me 20 janar të vitit 2013, Hamdi Tërpeza përmes telefonit e ka thirrur të dëmtuarin Kasim Hoxha dhe e ka kërcënuar me fjalët: “Në rast se nesër nuk e kryen testin po të betohna, pasha natën e vorrit nuk e kryen i gjallë pa të lidh sikur qenin nuk e la… shko ku të duash nesër je i lidhtë, vi në stacionin e autobusëve dhe të pres deri te del Artoni”.

Në bazë të aktakuzës, të nesërmen në mëngjes Hamdi Tërpeza ka shkuar në Stacion të Autobusëve me automjetin zyrtar dhe pasi e ka takuar instruktorin Kasim Hoxha pa u prezantuar fare e ka pyetur: “A ia kryen testin”, ndërsa kur i dëmtuari ka mohuar, e ka kapur për krahu dhe i ka thënë: “Hajde me mua deri te vetura zyrtare”. Pasi që i dëmtuari kishte rezistuar tutje thuhet se Hamdiu i kishte thënë se do të shkojë ta marrë komandantin dhe do të kthehet prapë, duke iu drejtuar me fjalët: “E ka ndreq terrenin për sot që me e lidh”.

Po ashtu, Prokuroria pretendon se Artan Tërpeza ka refuzuar ta pranojë dhe t’i nënshtrohet testit të provimit për patentë shofer sikurse kandidatët e tjerë, duke pretenduar me çdo kusht se vetëm i dëmtuari duhet t’ia plotësojë testin e provimit dhe ta kalojë në këtë provim.