Jep Mbrojtjen Polici i Akuzuar për Marrje Ryshfeti

Gjatë paraqitjes së mbrojtjes polici Veton Gashi e mohoi marrjen e ryshfetit, veprën penale për të cilën akuzohet.

Gashi tregoi momentin kur e thirrën në telefon për t’u paraqitur në polici pas kryerjes së orarit të punës, ndërsa në stacion tha se takoi zyrtarë të Inspektoratit Policor të Kosovës.

“Kur kam hyrë në stacion i kam parë dy togerë dhe dy inspektorë të IPK-së. Njëri prej inspektorëve më ka thënë nxjerri krejt prej xhepave çka ki edhe kuletën, unë i kam nxjerrë edhe më pas m’i kanë kthyer,” tha Gashi.

Veton Gashi më tutje rrëfeu se inspektorët e IPK-së e pyetën për një kartëmonedhë prej 100 eurove të incizuar më parë, për të cilën i kishin thënë se i ishte gjetur kolegut të tij në xhep.

“Pas krejt kësaj ngjarjeje e kam pyetur kolegun Hydajet Krasniqin kah të erdhën këto para në xhep, ai më ka thënë gjatë pastrimit të automjetit i kam gjetur të palosura afër ulëses së majtë,” tha Gashi.

Në shtator të vitit 2012 “Drejtësia në Kosovë” transmetoi një reportazh ku trajtohej ankesa e një qytetari, i cili pretendonte se dy policë i kishin kërkuar mitë.

Disa muaj pas transmetimit të emisionit, Prokuroria e Prishtinës ngriti propozim-akuzë ndaj policëve Veton Gashi e Hydajet Krasniqi, duke i akuzuar për mitë-marrje.

Dy policët mohuan fajësinë, ndërsa pak muaj pas ngritjes së aktakuzës polici Hydajet Krasniqi u arratis dhe tani është i paqasshëm për gjykatën. Ndaj tij procedura është veçuar.

Para se sot ta paraqesë mbrojtjen polici i suspenduar Veton Gashi, u bë leximi i provave në procesin kundër tij.

Avokati Gani Hoxha kundërshtoi video-xhirimet nga emisioni “Drejtësia në Kosovë” me arsyetimin se janë bërë nga personat e autorizuar.

KALLXO.com e ndoqi vazhdimisht këtë proces gjyqësor.