Ndërtesa e Rektoratit të UP-së | Foto: KALLXO.com

Jep Dorëheqje Kryetarja e Këshillit Etik të UP-së

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, profesoresha Limani.

“Arsyet kanë qenë personale. Për shkak të angazhimit tim kam dhënë dorëheqje. Unë besoj se ata mund të ia dalin edhe pa mua”, tha Limani për KALLXO.com.

Dorëheqja e Limanit ka ndodhur në seancën e dytë të Këshillit Etik, i cili është në kuadër të UP-së.

E pyetur se kush do ta zëvendësojë, Limani tha se është rregullorja e punës për plotësimin e përbërjes.

“Është rregullorja e punës sipas së cilës stafi e plotëson përbërjen. Këshilli mund të funksionojë me anëtarët e mbetur dhe nuk mund të varet nga një person”, tha ajo.

Ndryshe, Këshilli Etik që nga themelimi i tij ka mbajtur vetëm dy seanca për shkak se deri vonë nuk ka pasur Rregulloren për masat dhe procedurat disiplinore ndaj personelit akademik.

Kjo rregullore është miratuar nga menaxhmenti i UP-së më 11 prill 2017.

Dorëheqja e Limanit nuk është akti i parë për stafin e UP-së që drejtohet nga rektori Marjan Dema.

KALLXO.com pati raportuar edhe për kërkesën për dorëheqje të prorektorit për bashkëpunim ndërkombëtar, Afrim Hoti.

http://kallxo.com/marjan-demes-largohet-nje-prorektor/

Këto dorëheqje në Universitetin e Prishtinës kanë ardhur pas raportimit të hulumtimit në emisionin “Jeta në Kosovë” për avancimet në Fakultetin e Mjekësisë nga menaxhmenti aktual i drejtuar nga rektori Marjan Dema.

Avansimet në Mjekësi

Hulumtimi sjell rrëfimin e kallxueses, Rozafë Koliqi, doktor shkence në Farmaci Klinike, e cila nuk ka lënë derë institucionale pa kërkuar të drejtën e saj që i është mohuar nga Senati i Universitetit të Prishtinës.

Në këtë hulumtim tregohet se si fitohen pozitat në Fakultetin e Mjekësisë nga kandidati Naim Morina, i cili ka pranuar se ka drekuar me njerëz me ndikim në UP para se të zgjidhej asistent në lëndën Farmaci Klinike.

Hulumtimi sjell edhe dokumente e fakte të nënshkruara nga rektori i UP-së, Marjan Dema, për të cilat Policia e Kosovës ka nisur hetime.

Profesori i Mjekësisë, Dyshime për Avancim me Plagjiaturë e Falsifikim

Po ashtu “Gazeta Jeta në Kosovë” pati hulumtuar për profesor Milaim Sejdini nga Fakulteti i Mjekësisë, i cili dyshohet se ka përvetësuar punimin shkencor të asistentes së tij Albena Reshitaj.

Me këtë punim profesor Sejdini ishte avancuar nga profesor asistent ne profesor të asocuar.