Prokurori i specializuar Jack Smith - Foto: Dhomat e Specializuara

Jep betimin prokurori amerikan i Prokurorisë së Specializuar

Prokurori i specializuar Jack Smith nga Shtetet e Bashkuara ka nënshkruar sot deklaratën solemne se do t’i ushtrojë funksionet e tij në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe të ndërgjegjshme.

Kjo është në përputhje me nenin 36 të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Smith u zgjodh në postin e prokurorit të specializuar në maj të këtij viti pas një procesi përzgjedhës të organizuar nga Bashkimi Europian dhe pas emërimit të tij nga shefja e Misionit të EULEX-it, Alexandra Papadopoulou.

Jack Smith është prokuror amerikan me përvojë në hetime politike të nivelit të lartë dhe në hetime penale ndërkombëtare.

Ai është pasardhës i prokurorit të parë të specializuar, David Schwendiman, më herët edhe kryeprokuror i Task Forcës Hetimore Speciale, i cili e lëshoi detyrën në mars, pas përfundimit të mandatit të tij si zyrtar i Shërbimit të Jashtëm të Shteteve të Bashkuara.