Javën e ardhshme organizohet  ‘Java e filmit’ për nder të çlirimit të Prishtinës

Qendra Kinematografike e Kosovës dhe  Komuna e Prishtinës në bashkëpunim edhe me Kino Armata organizojnë gjatë këtij muaji “Javën e filmit”, ku do të shfaqen filma të prodhimit kosovar të pasluftës.

“Java e Filmit” do të nisë më 17 qershor dhe do të zgjasë deri më 23 qershor 2019, dhe organizohet për nder të njëzet vjetorit të çlirimit të qytetit të Prishtinës,  në kuadër të 20 aktiviteteve të tjera që organizohen nga Komuna e Prishtinës për shënimin e këtij njëzetvjetori.

Përmes një njoftimi për media QKK-ja njofton se “Java e Filmit” do të ndodhë përgjatë javës së tretë të muajit qershor në Kino Armatë.

Filmdashësit, sipas kësaj komunikate  do të kenë mundësi të shohin filma të ndryshëm të prodhuar në Kosovë. Këta filma në një formë apo tjetrën trajtojnë tematika dhe rrëfejnë storie që lidhen me tranzicionin e shoqërisë Kosovare gjatë këtyre viteve.

“Vitet e 90ta, lufta 98-99’, aspektet sociale e ekonomike, filma të shkurtë, të gjatë dhe dokumentarë na presin në Kino Armata çdo mbrëmje prej 17 deri më 23 qershor. Prodhimi i filmave që janë në këtë program (përveç filmit “A Normal Life” që është realizuar në 2003) është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës”, thuhet ndër të tjerash në komunikatën e QKK-së.

Pas shfaqjes së filmave organizatorët kanë paraparë edhe bashkëbisedime me personalitete të ndryshme nga ekipet realizuese të filmave.

Hyrja për të përcjellë filmat e kësaj jave do të jenë falas.

 Programi i filmave të planifikuar për tu shfaqur gjatë Javës së Filmit:

 E hënë, 17 qershor 2019, 20:00-22:00:

“Ajo” (13’) nga More Raça & “Martesa” (97’) nga Blerta Zeqiri.

E martë, 18 qershor 2019, 20:00-22:00:

“Një Muaj” (26’) nga Zgjim Terziqi & “Daullet e Rezistencës” (65’) nga Methieu Jouffre.

E mërkurë, 29 qershor 2019, 20:00-22:00:

“Gardhi” (15’) nga Lendita Zeqiri & “me dasht‘ me dasht‘ me dasht‘” (90’) nga Ilir Hasanaj.

E enjte, 20 qershor 2019,  20:00-22:00:

“Tisa” (21’) nga Valter Lucaj & “Përtej Rrugës” (81’) nga Yll Çitaku.

E premte, 21 qershor 2019, 20:00-22:00:

“Ferdonija” (30’) nga Gazmend Bajri & “Histori Maje Kulmi” nga Gazmend Nela (74’).

E shtunë, 22 qershor 2019, 20:00-22:00:

“Shok” (21’) nga Jamie Donoghoue & “A Normal Life” (65’) nga Hugo Berkeley and Elizabeth Chai Vasarhelyi.

E diele, 23 qershor 2019, 20:00-22:00:

“Kanarinët e Dinë” nga Kaltrina Krasniqi (17’) & “Babai” (104’) nga Visar Morina.