Pamje nga një seancë e gjykimit të rastit të vrasjes në restorantin "Shega" - Foto: KALLXO.com

Jashtë Vendit Dëshmitarët e Vrasjes në Lokalin ‘Shega’

Dy shtetas të Shqipërisë dhe një i Kosovës ishte paraparë të  tregonin para trupit gjykues detajet e  vrasjes së vitit 2014 në restorant “Shega” në Milloshevë të Obiliqit ku mbetën të vrarë dy persona dhe dy të tjerë u plagosën, por asnjëri nga dëshmitarët nuk u paraqit në gjykatë.

Në mungesë të dëshmitarëve, trupi gjykues vendosi që të lexohen deklaratat e tyre të dhëna të fazat e mëhershme të procedurës.

Këtë vendim, Haxhi Millaku, avokati i të akuzuarit, Besart Istrefi për KALLXO.com  e cilësoi si të dëmshëm për mbrojtjen.

“Gjykata i ka lëshuar urdhëresat dhe i ka përdorur të gjitha mundësitë ligjore përmes ndihmës juridike ndërkombëtare. Ne si mbrojtje kundërshtuam që të lexohen, përkatësisht, të administrohen deklaratat e dhëna në fazat e tjera të procedurës në polici e prokurori, por gjykata nuk i mori parasysh  kundërshtimet tona dhe vendosi në dëm të mbrojtjes që të lexohen këto deklarata”, tha Millaku.

Millaku tha se mbrojtja këto deklarata i konsideron si prova të papranueshme sepse në asnjë fazë të procedurës  mbrojtja nuk i ka dëgjuar, me përjashtim të dëshmitarit shtetas të Kosovës.

Gjatë seancës së sotme Millaku gjithashtu kërkoi edhe lirimin nga paraburgimi të të mbrojturit të tij, por edhe kjo kërkesë u refuzua.

Përpos këtyre propozimeve, Millaku tha se mbrojtja ka kërkuar gjithashtu që t’i dorëzohen disa prova prej rikonstruksionit të vendit të ngjarjes.

”Ne gjithashtu propozuam që të na sigurohen disa prova prej rikonstruimit të vendit të ngjarjes,  disa fotografi dhe dokumentacion të ekspertëve. Janë disa fotografi që janë bërë nga krim-teknika dhe ekspertët mjekoligjorë dhe pasi që t’i marrim mbrojtja të vazhdojmë me administrimin e provave tjera materiale”, tha Millaku.

Sipas Prokurorisë, më 02 maj 2014 rreth orës 23:30 në fshatin Milloshevë të Komunës së Obiliqit, në restorant “Shega” ishin vrarë dy persona dhe dy të tjerë ishin plagosur.

Të vrarë kishin mbetur Naim Gërvalla nga fshati Raskovë i Obiliqit dhe Lutfi Saraçi nga fshati Bivolak i Komunës së Vushtrrisë. Ndërsa plagë kishin marrë pronari i lokalit “Shega” Besim Istrefi dhe djali i tij Besart Istrefi.

Lidhur me këtë rast, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 10 mars 2015 ka ngritur aktakuzë ndaj Besim e Besart Istrefit për vrasje të rëndë.

Në këtë proces i akuzuar për vrasje të rëndë në tentativë, është edhe Jeton Saraçi.

Seanca e radhës është caktuar më datën 23 janar.