Urgjenca e Spitalit të Pejës - Foto: KALLXO.com
Jashtë Rrezikut 12 Nxënësit e Lënduar në Istog
12 nxënës kanë kërkuar tretman mjekësor në Spitalin Regjional të Pejës. Lajmin e ka bërë të ditur shefi i Emergjencës i Spitalit, dr. Besnik Ibraj.
Ai ka njoftuar se nxënësit kishin pësuar lëndime në qendrën e lojërave në Istog.
“Rreth orës 10:00 kemi pranuar 7 nxënës të cilët janë lënduar në qendrën e lojërave në Istog. Të gjithë kanë marrë tretmanin e nevojshëm radiologjik dhe neurologjik. Pasi janë stabilizuar janë lëshuar për trajtim të mëtutjeshëm në shtëpi”, tha Ibraj për KALLXO.com
Ai tha se më pas kishin ardhur edhe 5 nxënës të tjerë me lëndime të lehta trupore.
Sipas shefit të Emergjencës, pas tretmanit mjekësor nxënësit janë liruar nga Spitali Rajonal i Pejës.
Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë Rajonale të Pejës, Xhevat Ibraj.
Sipas tij, deri të lëndimi i nxënësve kishte ardhur për shkak të problemeve teknike të lojërave.
“7 nxënës janë lënduar për shkaqe teknike të lojërave. Rasti po hetohet nga njësitet relevante të Stacionit Policor në Istog”, tha Ibraj.
Ai bëri me dije së nxënësit e lënduar në lojërat në Istog janë nga Komuna e Vushtrrisë, të cilët ishin në ekskursion me shkollën e tyre.