Foto KALLXO.com: Hilmi Jashari, Avokat i Popullit

Jashari: Krerët e shtetit do të duhej të ishin të informuar për rastin e shtetasve turq

Avokati i Popullit Hilmi Jashari në intervistën e tij dhënë për emisionin “Drejtësia në Kosovë”, ka deklaruar se krerët e shtetit, duke u nisur nga presidenti, kryeministri dhe kryeparlamentari do të duhej të dinin se çfarë po ndodhë në shtetin e tyre, sidomos në situata të tilla sikurse ai i deportimit të shtetasve turq.

Ai ka thënë se nuk e di nëse drejtori i Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni (së fundmi i emëruar në krye të AKI-së) e ka ditur se çfarë po ndodh me arrestimin e shtetasve turq. Mirëpo ai ka thënë se në parim drejtori i Policisë do të duhej të ishte në dijeni për atë çfarë ka qenë duke ndodhur.

“Në parim besoj që duhet me e ditë patjetër edhe duhet me qenë i informuar sepse nuk është proces rutinë i përditshëm, këto situata janë të natyrës ekstreme, janë të rralla dhe janë shumë sensitive mbi të gjitha për reputacionin e një shteti. Prandaj unë po besoj patjetër që do të duhej jetë në dijeni dhe të jetë i informuar. Tani a ka qenë në dijeni apo jo është sigurisht çështje e autoritetit të prokurorisë që do të duhej me e vlerësuar dhe me e pa ku ka ndodhur e keqja ta quaj kushtimisht edhe ku është këputur zinxhiri nëse ka pasur këputje, apo nëse ka pasur thjeshtë aprovim të veprimeve të tilla pa një konsultim ligjor nëse është proces i drejtë edhe adekuat qysh e parasheh ligji”, ka thënë Jashari.

I pyetur për njohuritë që kanë mundur t`i kenë presidenti, kryeministri, kryetari i Kuvendit, Jashari ka deklaruar se parimi që drejtori i Policisë do duhej të ishte në dijeni, do duhej të vlente edhe për krerët më të lartë të shtetit.

“I njëjti parim që ju e përmendet për drejtorin e Policisë, besoj se është e njëjta gjë, do të duhej këto autoritete të jenë të njoftuara për një vendim të tillë, sepse është edhe urgjent edhe ka të bëjë me relacionet e dy shteteve. Mirëpo në anën tjetër gjithashtu rrezikon të drejtat e individëve. Prandaj në një situatë të tillë siç e thashë po do të duhej të me qenë të informuar. Tani nëse janë, apo kanë qenë të informuar ne kemi mundur me i pa edhe deklaratat e tyre publike në të cilat ata pjesën më të madhe e kanë mohuar që kanë qenë të informuar”, ka thënë Avokati i Popullit Hilmi Jashari.