Jashari: Kosovës po i Hapen Plagë të Panevojshme

Lulzim Jashari, i biri i komandantit legjendar Adem Jasharit, i ka bërë thirrje klasës politike për maturi e përgjegjësi ndaj shtetit të Kosovës.

“E themi me keqardhje se 17 vjet pas përfundimit të luftës, Kosovës po i hapen plagë të panevojshme. Nuk është koha për krekosje e lavde, nuk është koha t’i marrim Kosovës por t’i japim asaj”, ka thënë Lulzim Jashari në një fjalë rasti në akademinë përkujtimore në përvjetorin e 18-të të rënies së familjes së tij në Prekaz.

Në akademinë e organizuar në Prishtinë nën përkujdesjen e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, në kuadër të manifestimit “Epopeja e UÇK-së“, Lulzim Jashari tha se duhet të punojmë  e të sakrifikojmë edhe më shumë në mënyrë që amaneti i brezave të tërë të çohet në vend. “Këtë askush nuk mund të na mohojë nëse e kemi vullnetin dhe guximin e të parëve tanë”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, pasi ka folur për gjendjen që çoi në organizimin e rezistencës paqësore tregoi edhe për krijimin e bërthamave të para të rezistencës së armatosur, në krye të të cilës ishte komandanti legjendar Adem Jashari, i cili, sipas tij, me disa shokë  pë këtë punë kishte shkuar në Shqipëri në shtator të vitit 1992.

Në fjalën e tij, kryekuvendari bëri thirrje që Marsi i Madh, siç e quajti ai, të shfrytëzohet si inspirim për të çuar përpara agjendën evropiane të Kosovës.

Në emër të Qeverisë së Kosovës si organizatore e manifestimit “Epopeja e UÇK-së“, një fjalë rasti mbajti ministri i Ministrisë së Forcave të Sigurisë, Haki Demolli, i cili ndër të tjera tha se rezistenca dhe rënia mitike e Familjes Jashari e përhapi zjarrin e lirisë. “Ky ishte fillimi i fundit i pushtetit serbo-sllav në Kosovë“, theksoi ministri.

Ministri foli edhe për moskrijimin e ushtrisë së Kosovës. Ai shfaqi shpresën se do të tejkalohet kriza politike, e cila, sipas tij e ka penguar procesin e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura.