Jashari: Kallëzimet penale për drogë hedhen vetëm kur nuk ka prova

Këtë javë në emisionin “Drejtësia në Kosovë”, është trajtuar tema e shitjes së drogave në afërsi të shkollave.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari për emisionin “Drejtësia në Kosovë”, ka folur për rastet e hedhjes së kallëzimeve penale për drogë, në mungesë të provave.

“Jo, deri më tani në Prokurorinë Themelore në Ferizaj nuk kemi asnjë rast të rëndësisë së vogël, mirëpo kemi pasur raste gjatë vitit 2018 një rast të hedhjes së kallëzimit penal dhe një rast të pushimit të hetimeve”, ka treguar Jashari.

Ai ka shtuar se kjo ka ndodhur për shkak se prokurori i rastit e ka vlerësuar se nuk ka elemente të veprës penale.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari ka treguar se që nga viti 2017 e tutje, dukuria e shitjes së drogave është në rritje, mirëpo fal hetuesve të antidrogës dhe Prokurorit të Shtetit kanë arritur të zvogëlojnë këtë numër.

“Në afërsi të shkollave, ne nuk mund të përcaktohemi se a ka qenë shitës apo blerës. Ka pasur raste kur kemi arrestuar persona me qese me narkotik me një gram por kur kemi hasur tek të dyshuarit dy tri qese, kemi ardhur në përfundim që e ka për shitje”, ka thënë Jashari.