Diplomati japonez në Odën Ekonomike | Foto: RTV 21

Japonia do të Financojë Shtatë Projekte në Kosovë

Qeveria e Japonisë do të mbështesë dhe të financojë shtatë projekte, të cilat kapin vlerën e më shumë se 470 mijë euro dhe këto projekte kanë të bëjnë me zhvillim ekonomik, media, të rinj, kulturë dhe sport.

Kjo është bërë e ditur gjatë një takimi që ambasadori i Japonisë në Austri përgjegjës për Kosovën Kiyoshi Koinuma pati në Odën Ekonomike të Kosovës.

Diplomati japonez tha se nga ajo që ka parë gjatë vizitës në Kosovë është se ekonomia e saj ka vazhduar të ketë rritje.

Po ashtu, ai shprehu dëshirën që shteti i tij të ketë bashkëpunim edhe më të madh biznesor me Kosovën.

“Që nga pavarësia e Kosovës, Japonia ka kontribuar në zhvillimin e Kosovës dhe siç thashë këtë herë kam parë shumë vendpunishte në Kosovë dhe ndërtesa të reja që po ndërtohen. Gjithashtu kam parë edhe makina të reja, duke i përfshirë edhe Toyota japoneze që do të thotë që ekonomia e Kosovës ka vazhduar të ketë rritje. Çka kishim dashur të bëjmë është që në vazhdimësi të japim asistencë për zhvillimin ekonomik në Kosovë, gjithashtu për ne do të ishte shumë e rëndësishme edhe bashkëpunimi biznesor me Kosovën”, tha ai.

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, duke vlerësuar mbështetjen që shteti japonez ka dhënë për Kosovën që nga viti 1999, ka thënë se edhe grantet e ndara gjatë ditës së sotme mbështetin pikat më sensitive dhe të rëndësishme të Kosovës.

“E veçanta e këtyre granteve dhe kësaj mbështetjeje është që i prek pikat më sensitive dhe më të rëndësishme për Kosovën sot dhe nesër, që ka të bëjë me ambientalizëm, ka të bëjë me ekonomi dhe zhvillim ekonomik, ka të bëjë me media dhe me të rinj, ka të bëjë me kulturën, sport dhe me shumë fusha të tjera të rëndësisë strategjike për ardhmërinë e Kosovës. Një shtet që dhuron edukim dhe e bart përvojën e vet është shtet mik dhe këtë është duke e bërë Japonia në mënyrën më të argumentuar”, tha ai.

Gërxhaliu ka bërë të ditur se Japonia do të ofrojë mbështetje edhe për xhudon.

“Sot është nënshkruar dhe është miratuar një mbështetje për sportin dhe kulturën e Kosovës si një dëshmi që Japonia i vlerëson dhe i promovon vlerat e Kosovës. Në vitin 2016 Majlinda Kelmendi në Rio de Zhaneiro fitoj medaljen e parë të artë dhe sot populli dhe qeveria e Japonisë ndan grant për të mbështetur këtë sport. E bën këtë mu si një përgatitje për xhudo dhe sportin kosovar që të jetë i gatshëm për sfidat e Lojërave Olimpike në vitin 2020 në Tokio dhe e tëra kjo dëshmon sinqeritetin dhe mbështetjen drejt ardhmërisë së Kosovës si shtet i ri”, tha Gërxhaliu.

Oda Ekonomike e Kosovës nderoi ambasadorin japonez me një dhuratë modeste në shenjë falënderimi për kontributin që shteti i Japonisë ka dhënë në Kosovë.