Japonia i Dhuron Mitrovicës një Autoambulancë dhe Pajisje Mjekësore

Nga shtatë projektet që do të mbështeten dhe financohen nga Ambasada japoneze, në vlerë 470 mijë euro, do të përfitojë edhe Komuna e Mitrovicës.

Përmes një komunikate, Komuna e Mitrovicës thotë se do të përfitojë një autoambulancë dhe pajisje mjekësore për laboratorin e QKMF-së .

Vlera e këtij projekti arrin shumën prej 80.000 euro.

Kryetari Mitrovicës, Agim Bahtiri, së bashku me përfaqësues nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe drejtori i QKMF-së, Vllaznim Hoti, morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave për projektet përfituese që financohen nga “Granti për Projektet Bazike për Siguri Njerëzore dhe Kulturë “, të miratuara nga Qeveria e Japonisë.

Pjesë e kësaj ceremonie ishte edhe ambasadori i Japonisë në Austri, përgjegjës për Kosovën, Kiyoshi Koinuma.

Me këtë rast kryetari i Komunës ka falënderuar Qeverinë e Japonisë e cila sipas tij përmes këtyre projekteve po kontribuon në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.