Japin dorëheqje katër anëtarë të kryesisë së PDK-së në Prizren

Katër anëtarë të kryesisë së degës së Partisë Demokratike të Kosovë në Prizren kanë dhënë sot dorëheqje.

KALLXO.com ka siguruar letrën e dorëheqjes së katër anëtarëve në të cilën thuhet se Naser Berisha, Shukri Quni, Sherif Krasniqi, dhe  Hajrim Qengaj kanë dhënë dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha postet zyrtare të PDK-së.

Sipas anëtareve, arsyeja e dorëheqjes nga PDK  janë pakënaqësitë me menaxhimin e punëve.

“Duke vlerësuar gjendjen aktuale brenda PDK në Prizren, ne, zëri juaj i qytetarëve deklarojmë se jemi të pakënaqur me menaxhimin e punëve dhe të mbarëvajtjes në përgjithësi të punëve brenda kornizës së degës së Partisë Demokratike të Kosovës, dega në Prizren”, thuhet në letrën e dorëheqjes.

Tutje në letër thuhet “Individ të caktuar, udhëheqës të PDK, dega në Prizren sikur e kanë bërë pronë grupore e personale”.

Në letrën e dorëheqjes janë cekur edhe vërejtjet që mund të jenë shkas i këtyre dorëheqjeve.

“Kanë krijuar fraksione të caktuara për qëllime të caktuara për të mbrojtur interesat e tyre, janë avancuar individ, edhe në kundërshtim me vullnetin e lirë të popullit, vetëm e vetëm që të jenë vegël e këtyre klaneve dhe shërbëtorë të interesave të tyre, për t’i pasur duart e lira, largojnë veprimtarë të devotshëm, si në luftë, ashtu edhe në  paqe, të cilët, janë themelues të degës së PDK në Prizren”, thuhet në letrën e dorëheqjes.