Mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik | Foto: KALLXO.com

Janova: Nuk ka Kushte për Faturim në Veri

Në mbledhjen e Komisionit për Zhvillim Ekonomik ku u fol për faturimin e shpenzimeve të rrymës në veri qytetarëve tjerë të Kosovës, Arsim Janova, anëtar i Bordit të ZRrE-së tha se në atë pjesë të vendit nuk ka kushte të faturohet energjia elektrike.

“Nuk ka kushte për me çu faturim atje, teknikisht dhe politikisht ndarja e asaj pjese është problem. Kemi marrë edhe reagime prej KOST it, ulja e prodhimit në KEK ka shkaktuar telashe”, tha Janova.

Ai konstatoi se shpenzimet në veri janë 5 për qind e konsumit të energjisë në vend.

Tha se vendimi i ZRrE-së për përshkallëzim të humbjeve i vitit 2012 vlente deri në mars të vitit 2018, ndërsa është pezulluar nga Gjykata e Apelit.

Janova tha se ZRrE-ja e ka kundërshtuar vendimin e Apelit.

“Na e kemi kundërshtu vendimin e Gjykatës se Apelit, sado që ne kemi konsideru që ky vendim nuk është adekuat, ai është i plotfuqishëm”, tha Janova.

Informatat e Janovës anëtari i komisionit Dardan Molliqaj i vlerësoi të mangëta.

Molliqaj kërkoi shifra për shpenzimin e energjisë në veri.

“Flitet rreth 8 mil euro në vite, për 17 vite rreth 150 milion euro, kjo është një vjedhje me letra, është dashur të informohen qytetarët”, tha Molliqaj.

Ndërsa Hykmete Bajrami tha se duhet të bëhet faturimi në veri.

“Ne nuk kemi nevojë me u kujdesë për humbjet teknike të një kompanie private. I bëj thirrje qeverisë që me u shtri sovraniteti në veri dhe me faturu rrymën elektrike”, tha Bajrami teksa kërkoi të bëhen publike kushtet e kontratës së privatizimit të distribuionit.

Edhe Memli Krasniqi kërkoi shifra për shpenzimet e rrymës në veri.

Janova pastaj tregoi se shpenzimet në komunat veriore janë përafërsisht 8 milionë euro në vit.

KALLXO.com shkroi në fund të nëntorit se rryma do të lirohet, pasi qytetarët e pjesës tjetër të vendit të mos paguajnë për veriun.