Janë Shlyer Vetëm 23 Milionë Euro

Ministria e Financave organizoi tryezën e diskutimit lidhur me ecurinë e procesit të deritashëm për faljen e borxheve me të gjitha institucionet e përfshira në zbatimin e Ligjit për Faljen e Borxheve Publike.

Qysh nga hyrja në fuqi e këtij ligji shlyerja e borxheve nga ana e konsumatorëve me procedurë të rregullt nuk ka kaluar shumën e 23 milionë eurove, ndërsa borxhet e tërësishme për falje janë mbi 720 milionë euro.

Ministri i Financave Avdullah Hoti inkurajoi borxhlinjtë që të aplikojnë për shlyerjen e borxheve, sepse sipas tij Ligji për Faljen e Borxhit Publik është në fuqi vetëm deri me 2 tetor të këtij viti.

“Kërkoj nga secili që të angazhoheni edhe më shumë në gjithë këtë proces për të qenë i suksesshëm dhe për të dhënë efektin e tij. Secili nga ne jemi të thirrur për të përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë karshi sfidave që kemi përpara. Ne duhet të ballafaqohemi me to, me proceset dhe me punën të cilën po e bëjmë çdo ditë për qytetarët tanë,” tha ministri Hoti.

Ai bëri të ditur se qytetarët tatimpagues kanë nevojë për më shumë informacione dhe për të qenë më shumë të njoftuar.

Agim Dibrani, kryesues i Komisionit për Faljen e Borxheve, tha se deri më tani nuk ka pasur realizime të pritshme dhe duhet të merremi më shumë me kryerjen e veprimeve konkrete.

Imri Ahmeti, kryetar i Komunës së Lipjanit, tha se janë duke u marrë me sensibilizimin e qytetarëve për shlyerjen e detyrimeve që i parasheh ky ligj.

Ndërsa, kryetari i komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, tregoi se ka vërejtje nga qytetarët e kësaj komune, sepse po stimulohen qytetarët e pandërgjegjshëm dhe po dëmtohet qytetari i ndërgjegjshëm me faljen e borxheve.

Të pranishmit në këtë tryezë diskutuan edhe për praktikat më të mira që janë ndjekur deri tani në zbatimin e këtij ligji dhe për sfidat me të cilat janë ballafaquar në këtë proces.

Si rezultat i këtij ligji, qeveria ka mundur të arkëtojë 10.7 milionë euro.