Besnik Osmani, Auditor i Përgjithshëm i Kosovës. Foto: Kallxo.com

'Janë Rritur Pagesat për Punët e Pakryera'

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani tha sot se institucionet që e keqpërdorin buxhetin, duhet të ndëshkohen me më pak buxhet në vitin pasues.

Këto komente ai i bëri gjatë publikimit të raportit “Nder me Tenderë” të BIRN dhe Interneës Kosova të monitorimit të prokurimit publik për vitin 2015.

Osmani tha se në çështje të prokurimit vërehet një mungesë bashkëpunimi mes organizatave buxhetore për t’i krahasuar çmimet e tregut.

Ai u shpreh se janë rritur rastet kur bëhen pagesa për punë të pakryera.

Raporti i publikuar është i ndarë në 8 kategori dhe përfshin 169 autoritete kontraktuese të cilat kanë zhvilluar procedura përmes prokurimit publik apo kanë tenderuar mallra, shërbime dhe punë.

Raporti paraqet milionët e shpenzuar të buxhetit, keqpërdorimet dhe favorizimet me tenderë dhe përmban elemente shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me shpenzimin e parasë publike nga ana e institucioneve buxhetore brenda periudhës janar-dhjetor 2015.