Jamie Shea flet për idenë e korrigjimit të kufijve

Ish-zëdhënësi i NATO-s në Kosovë, Jamie Shea ka folur lidhur me atë se si e sheh Kosovën 20 vite pas çlirimit.

Në një intervistë ekskluzive për emisionin ‘Jeta në Kosovë’, afër 20 vjetorit të bombardimeve të NATO-s, Shea tha se është krenar me progresin e Kosovës.

I pyetur se a kishte pritur që pas 20 viteve sërish do të hapej tema e kufijve të Kosovës ai tha se shpreson në normalizim dhe rregullim të jetesës së qytetarëve.

“Ndjenja ime personale, dhe po e përsëris që po flas nga perspektiva personale është që shpresa ime vazhdon të jetë që vendet e Ballkanit të mbesin shtete multietnike europiane ku komunitete të ndryshme janë në gjendje të jetojnë bashkë, siç ndodh edhe në vende të tjera europiane dhe që këto komunitete të ndjehen që janë në shtëpitë e tyre. Shpresoj që këto vende të kenë kufij të hapur me fqinjët e tyre, dhe sipas mendimit tim, ky edhe duhet të jetë qëllimi”, tha Shea.

Ai shtoi se normalizimi duhet të ndodhë gjithsesi.

“Nga ajo që unë po shoh është që ka shumë sugjerime, por nuk e kam parë ende asnjë grup nga Prishtina që është ulur me ndonjë grup nga Beogradi duke mbajtur harta të mëdha para vetes, siç ka ndodhur gjatë konferencës së Dejtonit, për shembull. Sipas mendimit tim, nëse mund të shprehem lirshëm, ajo që ka më shumti rëndësi në këtë moment është që të vazhdohet me procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Beogradit dhe Prishtinës”, shtoi ai.

Intervistën e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: