Jakup Krasniqi reagon pas kërkimfaljes së Thaçit ndaj Gecit   

Ish-kryeparlamentari i Kosovës njëherësh kryetar i Këshillit Kombëtar të NISMA-së, Jakup Krasniqi, ka reaguar pas kërkim faljes së presidentit Hashim Thaçi ndaj Gani Gecit për komunikatën e lëshuar gjatë luftës, e cila e përshkruante Gecin si njeri të rrezikshëm.

Krasniqi përmes një postimi në ‘Facebook’  është shprehur se shumë gjëra nuk përputhen me realitetin nga ato që tha presidenti në një interviste të dhënë të mërkurën.

Ai në këtë postim ka theksuar se nëse Thaçi duhet të kërkohet falje për Komunikatën 59 atëherë ajo duhet të jetë e sinqertë e jo “të gjuhet guri e të fshihet dora”,

Ky është postimi i plotë i ish-kryeparlamentarit, Jakup Krasniqi

Në intervistën e datës 13 shkurt 2019 për RTK-në Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i kërkoi falje Gani Gecit për komunikatën numër 59 të UÇK-së.

Meqenëse gjatë intervistës së tij ai përmendi edhe zëdhënësit e UÇK-së, e shoh të domosdoshme të deklarohem publikisht për shkak se tha shumë gjëra që nuk përputhen me realitetin.

– Hashim Thaçi si udhëheqës politik i UÇK-së e di shumë mirë se asnjë komunikatë e UÇK-së nuk është lëshuar “nga banhofat me qëllim që të përçajë UÇK-në”. Sikur të kishte ndodhur një gjë e tillë ne do të kishim reaguar që në atë kohë kundër çfarëdo tendence të tillë;

– Hashim Thaçi e di fare mirë se asnjë komunikatë që përmban lista me emrat e Ibrahim Rugovës dhe veprimtarëve të tjerë politik shqiptarë nuk është lëshuar në emër të SHP të UÇK-së, sepse do të kishim reaguar që në atë kohë, pasi lufta kishte adresë të vetëm pushtuesin;

– Hashim Thaçi e di fare mirë kundërshtimin tim dhe të shumicës së komandantëve të Zonës Operative të Drenicës për Komunikatën numër 59, sepse është mbështetur në gjëra të pa vërteta dhe denigruese për zotin Geci;

– Kundërshtimin tim do ta kisha shprehur në rast se e njëjta gjë do të ishte bërë kundër cilësdo familje shqiptare qoftë;

– Hashim Thaçi e di se që nga viti 1998 të gjitha komunikatat janë shkruar në Kosovë dhe nëse duhet të kërkohet falje për Komunikatën 59 atëherë ajo duhet të jetë e sinqertë e jo “të gjuhet guri e të fshihet dora”, siç thotë një shprehje popullore.

https://kallxo.com/hashim-thaci-i-kerkon-falje-gani-gecit-per-komunikaten-e-uck-se/