Jakup Krasniqi,FOTO: RTV21

Jakup Krasniqi arrinë në Gjykatën Speciale

Ish zëdhënësi dhe anëtari i shtabit të përgjithshëm të UÇK-së Jakup Krasniqi ka arritur në Gjykatën Speciale në Hagë ku pritet të intervistohet nga Dhomat e Specializuara

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate dje ka udhëtuar drejt Hagës, ku edhe është shoqëruar nga funksionarë të lartë të partisë së tij.

Përpos Krasniqit, sot nga Dhomat e Specializuara pritet të intervistohet edhe kryeministri në largim Ramush Haradinaj, i cili pikërisht për shkak të kësaj ftese të premten ka dhënë dorëheqje nga posti i kreut të qeverisë.

Historiku i Gjykatës Speciale:

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.

Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.

Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ajo ka filluar punën muajve të fundit, kur ka ftuar disa ish figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.