Jahjaga Ratifikon Marrëveshjen me Holandën për Gjykatën Speciale

Zyra e Jahjagës të hënën njoftoi se ajo ka nënshkruar marrëveshjen midis Kosovës dhe Holandës për ngritjen e gjykatës së re, e cila zyrtarisht quhet Gjykata Speciale e Kosovës.

Ajo tha Jahjaga e mori dokumentin më 23 shkurt, pasi u nënshkrua fillimisht nga Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ambasadori holandez në Prishtinë, Gerrie Willems, më 15 shkurt.

“Me ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, Republika e Kosovës i ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj ndërkombëtare në lidhje me themelimin e Gjykatës Speciale,” thuhej në deklaratën zyrtare nga zyra e Jahjagës.

Gjykata e re pritet të gjykojë luftëtarë të lartë të UÇK-së për krime lufte dhe krime pas lufte nga viti 1999 deri në vitin 2000 dhe do të ngrihet në ish-ndërtesën e Europolit në Hagë.

Gjykata, e cila përbëhet nga gjyqtarë ndërkombëtare, do të themelohet sipas ligjeve të Kosovës. Kjo nënkupton se ajo nuk do të jetë një gjykatë ndërkombëtare, por një gjykatë kombëtare kosovare që administron drejtësi jashtë Kosovës.

Ajo po ngrihet pasi Task Forca Speciale Hetimore kreu një hetim 3-vjeçar mbi akuzat e bëra fillimisht nga Këshilli i Evropës, raportuesi i të cilit u shpreh në një raport në vitin 2011 se gjatë konfliktit në Kosovë nga ana e anëtarëve të UÇK-së ishin kryer krime kundër njerëzimit, si për shembull, rrëmbim, torturim dhe trafik organesh.

Gjetjet e Task Forcës do të sigurojnë bazat për ndjekjet penale në gjykatën e re.

Ngritja e kësaj gjykate ka shkaktuar polemika në Kosovë. Kritikët shprehen se ajo është një ofendim për luftën për liri të UÇK-së ndaj sundimit shtypës serb.