Jahjaga Përshëndetet me Amerikën

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga u prit sot në Shtëpinë e Bardhë nga Zëvendëspresidenti amerikan Joseph Biden.

Nënjë komunikatë të lëshuare nga Zyra e Presidentes thuhet se në këtë takim u diskutua për konsolidimin e Republikës së Kosovës, situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon dhe përpjekjet e Republikës së Kosovës për  t’i thelluar reformat politike dhe ekonomike në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane.

Presidentja Jahjaga shprehu mirënjohjen e saj administratës amerikane për përkrahjen dhënë institucioneve të Republikës së Kosovës për të konsoliduar dhe forcuar demokracinë në vend dhe për subjektivitetin shtetëror në arenën ndërkombëtare.

Presidentja Jahjaga theksoi përparimin e gjithmbarshëm të Kosovës për të funksionalizuar institucionet dhe sfidat me të cilat përballet vendi. Ajo tha se me gjithë vështirësitë, Kosova ka qëndruar e palëkundur në tetë vjet të shtetësisë së saj për t’i përmbushur përgjegjësitë e saj.

Presidentja Jahjaga tha se institucionet e Kosovës vazhdojnë të jenë të përkushtuara të vazhdojnë dialogun me Republikën e Serbisë për të normalizuar relacionet mes dy vendeve si alternativën e vetme për të arritur paqe të qëndrueshme në rajon dhe për të shpejtuar procesin e integrimeve euroatlantike të dy vendeve. Ajo poashtu theksoi nevojën që ky proces të përqëndrohet edhe në implementimin e marrëveshjeve të arritura me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Presidentja Jahjaga e theksoi edhe kontributin e Republikës së Kosovës për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm, në veçanti me përballjen me fenomenin e luftëtarëve të huaj, qytetarë të Kosovës që u janë bashkangjitur organizatave terroriste në Siri dhe Irak. Presidentja Jahjaga tha se Kosova ka qenë e pakompromis në qasjen e saj ndaj kësaj sfide dhe se ka ofruar një partneritet të gjerë me shtetet rajonale për ta adresuar këtë kërcënim.

Presidentja Jahjaga falënderoi personalisht Zëvendëspresidentin Biden për përkrahjen personale për Kosovë dhe theksoi se ndihet krenare që në mandatin e saj si Presidente e vendit ka forcuar miqësinë dhe partneritetin mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.