Jahjaga: Paqe për Viktimat e Dhunës Seksuale

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, theksoi rëndësinë e trajtimit dhe mbështetjes së viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Ajo sot ka drejtuar për herë të fundit në mandatin si Presidente, takimin e fundit të Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë luftës në të cilin tha se institucionet e vendit kanë rifituar besimin e kësaj kategorie të viktimave ndërsa kërkoi vazhdim të përkujdesjes ndaj tyre.

“Pa paqen e tyre, shteti jonë dhe shoqëria jonë nuk do të gjejë asnjëherë paqen e vet”, deklaroi Presidentja.

Jahjaga paraqiti të arriturat  e këtij këshilli dhe vlerësoi këto aktivitete si shembull për vendet e tjera të botës.

“Me anë të këshillit u bë shumë punë, u vendosën objektiva afatgjate për trajtimin e të drejtave dhe për një të drejtë më dinjitoze për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, duke i ofruar edhe vendeve të tjera të botës që përballen me pasojat të ngjashme të luftës shembullin e mirë se si një shoqëri duhet ti trajtojë të mbijetuarit e saj të luftës”, konstatoi  Jahjaga

Ndërkaq Ambasadori i SHBA-së në Kosovë konstatoi se trajtimi i viktimave të dhunës seksuale dhe dënimi i kriminelëve të kësaj vepre është çështje themelorë në procesin e pajtimit.

“Pajtimi dhe stabiliteti afatgjatë do të jetë i mundshëm vetëm atëherë kur shoqëria të mësohet të merret me historinë e dhunës seksuale në luftë dhe ata që janë fajtorë për kryerjen e këtyre krimeve të tmerrshme të sillen para drejtësisë”, tha Delawie.

Këshilli Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale u themelua nga Presidentja Jahjaga dy vjet më parë ndërsa puna e këtij këshilli ka përfshirë bashkëpunimin edhe me Ministrinë e Drejtësisë për kategorizimin e këtyre viktimave.

Hajredin Kuçi, Ministër i Drejtësisë, ka deklaruar se ky këshill dhe kjo ministri kanë arritur qëllimin e kategorizimit të viktimave të dhunës seksuale në nivel të barabartë me viktimat e krimeve të luftës.

“Besoj që me punën që është bërë gjatë këtyre viteve është arritur qëllimi kryesor i këtij këshilli që edhe viktimat e dhunës seksuale të kategorizohen si viktima të krimeve të luftës dhe krahas kategorive të tjera sot të gëzojnë edhe mbështetje institucionale, materiale dhe morale”, deklaroi Kuçi.

Feride Rushiti, Drejtoreshë e Qendrës Kosovare Rehabilituese për viktimat e torturës, ka kritikuar qasjen e mëparshme të institucioneve ndaj viktimave seksuale gjatë luftës.

“Mund të themi lirisht se dhunimet seksuale gjatë luftës apo këto viktima mund të jenë heshtja më e madhe institucionale që i ka ballafaquar institucionet e Kosovës pas luftës”, vlerësoi Rushiti.