Jahjaga kërkon në Kongresin amerikan një gjykatë për ata që dhunuan gjatë luftës në Kosovë
Komiteti për Punë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së sot zhvilloi një seancë dëgjimore për “Viktimat e luftës në Kosovë – Në kërkim të drejtësisë”, gjatë të cilës u kërkua votimi i një rezolute e cila mundëson krijimin e një gjykate e cila do të trajtonte këto krime.
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga deklaroi para Kongresit amerikan se kërkesa për llogaridhënie të autorëve të krimeve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë nuk janë vetëm në interes të Kosovës por në interes të ruajtjes së paqes në botë.
Ajo më tej tha se ne vetëm duam që të mbajmë përgjegjës ata që kanë kryer të gjitha këto krime ndaj njerëzimit.
“Këto viktima po jetojnë në turp të madh sepse ka tendencë për drejtim gishti ndaj tyre e jo ndaj autorëve të krimeve. Deri tani kemi më shumë se një mijë aplikues të dhunës seksuale dhe kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në të gjithë. Viktimat kanë hezituar por tashmë është krijuar një momentum i ri dhe ata duan të raportojnë. Ne duam drejtësi, duam të shohim autorët e këtyre krimeve se si përballen me drejtësinë. Disa viktima edhe kanë vdekur si pasojë e asaj që u ka ndodhur, nuk keni nevojë për më shumë dëshmi se sa rrëfimet e këtyre viktimave sepse u kishte ndodhur në prani të familjarëve ose të bashkëfshatarëve. Ajo që ne kemi nevojë është për një gjykatë të duhur e cila do të sjellë drejtësi për të gjithë këto viktima”, ka thënë ish-presidentja.
Arsyeja se përse ende nuk janë trajtuar denjësisht këto raste, sipas Jahjagës, është mungesa e vullnetit të liderëve kosovarë.
Sipas saj, kosovarët kërkojnë që qytetarët dhe liderët e Serbisë të mbajnë përgjegjës personat që kanë kryer këto krime.
“Nuk ka bashkëpunim deri tani kur flasim për këto krime gjatë luftës. Vitin e fundit Kosova është refuzuar për anëtarësim në INTERPOL dhe deri tani po hasim në vështirësi nga ana e Serbisë për bashkëpunim në gjetjen e autorëve të këtyre krimeve. Ne po kërkojmë që të bëhet një presion i nevojshëm në mënyrë që të ketë dëshirë për të vepruar në këto raste”, ka shtuar tutje ajo.
Kryesuesi i Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Eliot Engel tha se nga përvoja e deritanishme e tij, ‘nuk ka vend më pro- amerikan sesa Kosova në Europë’.
Ai theksoi se ‘kosovarët duan të jenë pjesë e jona, e ne duam të jemi pjesë e tyre’.
“Prandaj dua të them se Kosova meriton më shumë se kaq. Serbia e ka mbajtur Kosovën jashtë anëtarësimit në shumë organizata të tjera jo vetëm nga INTERPOL-i dhe mendoj se duhet të vazhdojmë të flasim edhe për këtë çështje”, u shpreh Engel.
Ndërkaq, Paul Williams, nga Universiteti Amerikan në Uashington, kërkoi nga Kongresi amerikan që të kujtojnë se me kë po negociojnë në Serbi sepse, sipas tij, ‘duhet të kujtojmë se personat që ishin duke udhëhequr negociata në Rambuje, tashmë janë dënuar për krime gjatë luftës’.
Ai kërkoi që të kontribuohet më shumë në Kosovë rreth kësaj çështjeje.
“Duhet të mbajmë përgjegjës ata që duhet të japin llogari. Duhet të identifikojmë dhe të nxjerrim përgjegjësit. Kemi një aleat të mrekullueshëm në Ballkan, e ai është shteti i Kosovës. Është shumë e rëndësishme ta mbajmë mend se duhet ta mbështesim Kosovën në raste si kjo.”, ka theksuar Williams.
Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve, Lee Zeldin tha se ‘20-vjetori i kësaj lufte nuk do t’na ndalë që të flasim për këtë temë’.
Tutje theksoi se nga të gjitha historitë personale që ka dëgjuar në këtë Dhomë, ‘asnjëra nuk ka qenë kaq prekëse sa e juaja zonja Goodman’.
“Ne na duhen të gjithë anëtarët e kongresit që të jenë mbështetës për votimin e një rezolute dhe të dërgojmë mesazh te presidenti Vuçiq. Çfarëdo dëshmie që keni tash në vitin 2019, ju them që është koha për një gjykim. Drejtësia është çelësi dhe atë do të vazhdojnë të kërkojmë si ShBA”, ka deklaruar Zeldin.
Komiteti për Punët e Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve ka zhvilluar një seancë dëgjimore me temë: “Viktimat e luftës në Kosovë – Në kërkim të drejtësisë”.
Seanca u zhvillua me qëllim që të kërkohet drejtësi për viktimat e krimeve të luftës në Kosovë, me theks të veçantë te viktimat e përdhunimeve.
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga deklaroi se viktimat e dhunuara gjatë luftës duan që historitë e tyre të dëgjohen dhe të kërkojnë drejtësi për krimet e kryera kundër tyre.
Vasfije Krasniqi Goodman është gruaja e parë në Kosovë që foli publikisht për dhunën seksuale që kishte përjetuar gjatë luftës së vitit 1999.
Ajo rrëfimin e saj e bëri publik më 16 tetor 2018 duke folur edhe për sfidat në kërkimin e drejtësisë dhe ndëshkimit për dhunuesit e saj.
Historia e Vasfijes
Vasfije Krasniqi ishte vetëm 16-vjeçe në prillin e vitit 1999 kur ishte rrëmbyer nga shtëpia e saj në fshatin Stanoc i Ulët nga një person i uniformuar dhe ishte dhunuar seksualisht në dy lokacione të ndryshme në Babimoc, nga dy persona të ndryshëm.
Ky është i vetmi fakt i pakontestuar i gjykatave të Kosovës, në të cilat nuk u gjetën fajtorët e këtij krimi.
Vasfije Krasniqi ka dalë për herë të parë publikisht dhe ka rrëfyer gjithë tmerrin që ka përjetuar në prillin e vitit 1999.
Beteja për drejtësi e viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës së vitit 1999 kishte filluar në vitin 2012, me ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
KALLXO.com sjell një kronologji të të gjitha proceseve gjyqësore të zhvilluara në Kosovë për rastin e Vasfije Krasniqi Goodmanit.
https://kallxo.com/deshmia-historike-e-vasfije-krasniqi-goodman-para-kongresit-amerikan/
https://kallxo.com/beteja-e-humbur-e-vasfije-krasniqit-per-drejtesi-ne-gjykatat-e-kosoves/
www,kallxo.com