Jahjaga i reagon Flora Brovinës: E turpshme, jonjerëzore dhe joligjore publikimi i fotografisë

Ish- Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga ka reaguar ashpër ndaj deputetes së PDK-së, Flora Brovina, pasi kjo e fundit sot para mediave publikoi një foto të një gruaje të dhunuar seksualisht gjatë luftës në Kosovë.

“Një goditje e rëndë u është bërë sot mijëra të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë me publikimin e pamjeve që tregojnë dhunimin e një gruaje nga forcat ushtarake serbe gjatë luftës!”, ka shkruar Jahjaga në “Facebook”.

Publikimin e fotografisë nga deputetja Brovina, ish- Presidentja e ka quajtur të gërditshëm, neveritës e të turpshëm.

“Është e gërditshme, e neveritshme, dhe e turpshme se si një depuetete e Kuvendit të Kosovës, e cila dikur ngriste dorën kundër të drejtave të grave e burrave të dhunuar seksualisht gjatë luftës në Kosovë, sot shfrytëzoi pikërisht godinën e Kuvendit për të publikuar para mediave një fotografi që thuhet se dokumenton aktin e dhunimit të një gruaje shqiptare nga tre ushtarë serbë”, thuhet tutje në reagimin e Jahjagës.

Ajo tutje tha se një veprim i tillë është jonjerëzor dhe cenon privatësinë e viktimës.

“Veprimi i deputetes është joetik, joligjor, e jonjerëzor! Publikimi fotografisë cenon rëndë privatësinë e viktimës dhe mund të çojë në zbulimin e identitetit të një dëshmitareje potenciale të krimit që Serbia ka kryer ndaj popullit tonë. Publikimi i asaj fotoje ri-traumatizon viktimën dhe të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe dekurajon të mbijetuarit që të dalin përpara me të vërtetën mbi krimin që është kryer mbi trupat e tyre”, shkroi ajo.

“Publikimi i fotografisë është goditje e sërishme ndaj dinjitetit të gruas që shihet në fotografi dhe është një goditje e rëndë për luftën tonë për drejtësi për mijëra gra e burra që u bënë cak i një fushate të egër të dhunimit seksual që Serbia kreu në Kosovë gjatë luftës së 1998-1999 për ta spastruar Kosovën etnikisht nga shqiptarët!” thuhet tutje në reagimin e saj.

Ish- Presidentja Jahjaga u ka bërë thirrje të gjitha mediave që ta largojnë fotografinë e ekspozuar sot nga deputetja Brovina, ndërsa tha se viktimat e dhunimit seksual nuk janë vegla që duhet të përdorën për poena politik.

“U bëjë thirrje mediave që të largojnë fotografinë nga platformat e tyre për të mos e dëmtuar viktimën edhe më shumë! U bëjë thirrje autoriteteve të drejtësisë që të hetojnë këtë veprim dhe të veprojnë në përputhje me ligjin! Të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë nuk janë vegla që mund t’i përdorni për spektaklet e juaja politike!”, thuhet në fund të reagimit të saj.

https://kallxo.com/prokuroria-speciale-nis-hetimet-per-fotografine-e-publikuar-nga-flora-brovina/