Jahjaga: Edhe sa jetë duhet të shuhen që institucionet të reagojnë
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga gjatë marshit protestues që u mbajt në Gjakovë për vrasjen e nënës dhe të bijës në Brekoc të Gjakovës tha se kriminaliteti i Pjetër Nrecaj dhe burrave të tjerë mundësohet nga një sistem që është i paaftë dhe i pa përkushtuar për të adresuar seriozisht, shqetësimet, kërcënimet, paralajmërimet për dhunën që gratë i nënshtrohen në mënyrë të vazhdueshme.
“Gratë nuk janë të sigurta në punë, rrugë, shkollë e tash nuk janë të sigurta as në familje. Kjo është vepër penale që meriton ndëshkim, është obligim i yni që të ndërmarrim të gjitha masat. Si është e mundur që pas të gjitha këtyre rasteve që kanë qenë të lajmëruara në polici ende nuk kemi masa që çojnë në parandalim”, ka theksuar Jahjaga.
Protesta ka nisur prej gjykatës, duke kaluar nga objekti i komunës dhe ka vazhduar deri te Policia e Gjakovës. Protesta ka vazhduar e qetë dhe pa asnjë incident.
Ish-presidentja Jahjaga iu drejtua të pranishmëve në protestë duke iu thënë se heshtja e organeve të drejtësisë është e papranueshme.
“Edhe sa thirrje të humbura duhet t’i keni edhe sa jetë duhet të shuhen që institucionet të reagojnë, kush do të jap përgjegjësi për këto krime që nuk kanë të ndalur”, tha Jahjaga.
Ajo tha se dhuna ndaj gruas nuk duhet të ketë arsyetim dhe se ata po marshojnë për të thënë mjaft më me vrasjen e grave dhe vajzave.
“Sot po i drejtohem edhe burrave, dhuna në shumicën e rasteve është e krijuar nga ju burrat, Të kujtojmë që burrëria nuk mund të matet me kapacitetin e të ushtruarit dhunë. Nevojitet një qëndrim i palëkundur. Shpresojmë që rastet e fundit nuk i dekurajojnë gratë që kanë nevojë për ndihmë. Së bashku do të bëjmë çdo gjë të mundur që edhe një emër tjetër të shtohet në këtë listë. Le të jetë ky marsh thirrja jonë e fundit”, ka përfunduar fjalimin e saj ish-presidentja Jahjaga.
Kurse deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari deklaroi se Valbona ka kërkuar ndihmë për vete dhe për fëmijët, por asaj nuk iu dha kjo ndihmë.
“Zëri i Valbonës shkoi dhe u shua, por zëri i saj do të kumboj këtyre ditëve. Le të dalin të na tregojnë, pse Pjetri u la i lirë për pesë orë, pse nuk u parandalua, pse gratë po hasin në institucione që zgërdhihen, as kafshët nuk duhet të rrihen e të vriten e lëre më gratë”, potencoi Kusari.
Ajo tha se janë të gjitha mekanizmat institucionalë por duhet të ketë vullnet.
“Boll më se dhuna nuk mundet me marrë jetë, që të varrosim gra. Le të jetë alarmi i fundit se nuk mund të durohet më. Drejtësi për Valbonën dhe drejtësi për Klarën”, përfundoi Kusari.
Deputetja tjetër e Kuvendit të Kosovës, Teuta Haxhiu tha që ata që ushtrojnë dhunë duhet të marrin dënimin e merituar.
“Le të jetë rasti i fundit që të mos lirohen ata që bëjnë krime. Krimi është krim dhe dënimi duhet të jetë dënim.”, përfundoi ajo.
Kurse Fitore Pacolli, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje deklaroi se sot nuk janë për të festuar për ndonjë arritje madhështore të grave por për shuarjen e jetës së një gruaje dhe të një vajze.
“Përgjegjësi kanë institucionet por edhe ne si një shoqëri dështuam t’i ndalim, kështu do të dalim e të protestojmë çdo ditë por si shoqëri duhet të jemi këmbëngulës që ky fenomen duhet të ndryshohet, duhet të kemi edukim adekuat që të mësohet për barazinë gjinore, se si të respektohet njëri tjetri”, tha Pacolli.
Fitore Pacolli theksoi se policia për shkak të neglizhencës la të shuhet jeta e një gruaje dhe një vajze.
“Ne nuk kemi shëndetësi, nuk kemi shkolla, nuk kemi barazi sociale, familjet nuk janë duke jetuar mirë që të jetojnë të qetë, gratë duhet të kenë hapësirë ku duhet të kyçen, mirëpo ky shtet nuk mendon për gratë”, deklaroi Pacolli.
Deputetja Pacolli iu drejtua protestuesve që ka shumë gra që dëshirojnë të largohen nga burrat dhunues por nuk kanë ku të shkojnë.
“Ku të shkojnë ato gra, a ka shteti mundësi tu japë banesa grave, jo nuk ka, kur shteti nuk siguron banim, kur shteti nuk ofron kushte të mira shëndetësore dhe sociale, nuk e di çfarë presim, vrasje të tilla do të ndodhin se shteti nuk është duke funksionuar për një shoqëri të barabartë. Nuk mjafton sot, duhet të luftojmë në qytet, kuvend që ky fenomen të ndryshohet”, përfundoi Pacolli.
40 vjeçarja, Valbona Nrecaj dhe vajza e saj 9 vjeçare u qëlluan për vdekje mbrëmjen e 7 gushtit. Dorasi dyshohet të jetë ish-bashkëshorti i viktimës.
Seanca gjyqësore për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarit për vrasjen e gruas dhe vajzës në Brekoc të Gjakovës e cila kishte filluar rreth orës 10:00 është ndërprerë pasi të dyshuarit Pjeter Nrecaj i është përkeqësuar gjendja.
Gazetarja e KALLXO.com ka raportuar se përkeqësimi i gjendjes ka ndodhur pasi prokurori ka lexuar pretendimet e prokurorisë për caktimin e paraburgimit.
I dyshuari qëndronte i shtrirë në sallën e gjykimit ndërsa gjykatësi ka urdhëruar publikun të dalë jashtë deri kur të vijë ambulanca, raporton gazetarja.
Në fjalën e tij para gjykatës prokurori i shtetit Agron Matjani ka ngritur pretendimin se Pjetër Nrecaj e ka kryer me dashje vrasjen e gruas dhe vajzës së tij 9 vjeçare.
Para gjykatës prokurori duke arsyetuar kërkesën për caktimin e paraburgimit ka thënë se “i pandehuri me dashje ka privuar nga jeta anëtarët e familjes së tij bashkëshorten dhe vajzën 9 vjeçare”.
Në pretendimet e tij prokurori ka përmendur se qëllimi i të pandehurit ishte që ta bindë të ndjerën që të kthehet dhe të jetoj me të por kur ajo ka refuzuar i pandehuri ka kryer aktin.
“Në ditën kritike i pandehuri shkon tek shtëpia e vëllezërve të së ndjerës Valbona për ta bindur për të bashkëjetuar dhe duke qenë se e ndjera Valbona nuk ka dashur të shkon në shtëpinë e bashkëshortit të saj i pandehuri me armën AK-47 shtënë disa herë në drejtim të gruas dhe vajzës duke i privuar nga jeta”, thuhet në kërkesën e prokurorit.
I njëjti ka sqaruar se i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes për tu dorëzuar më pas në polici.
Seanca gjyqësore për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarit për vrasjen e gruas dhe vajzës në Brekoc të Gjakovës është ndërprerë pasi të dyshuarit Pjeter Nrecaj i është përkeqësuar gjendja. Ai nuk ka arritur të deklarohet për pretendimet e prokurorisë.
Nrecaj është dërguar në spitalin e Gjakovës ndërsa gjykatësi i rastit ka thënë se seanca është shtyrë për një afat të pacaktuar.