Gjenerali Mike Jackson dhe kryeparlamentari Kadri Veseli – Foto: Kuvendi i Kosovës

Jackson: E Dëshiroj Kosovën me Ushtri

Komandanti i parë i KFOR-it, gjenerali Mike Jackson tha sot në Prishtinë se dëshiron që Kosova ta krijojë ushtrinë e saj, por theksoi se ende nuk e di se kur kjo gjë mund të jetësohet.

Këto deklarata gjenerali i pensionuar britanik i tha pas takimit që pati me kreun e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin.

Mike Jackson tha se është i befasuar me Prishtinën.

“Unë kam pak kohë këtu në Prishtinë, ndoshta rreth 12 orë, por duke filluar prej aeroportit të Prishtinës që ishte shumë ndryshe nga atëherë kur unë e kam lënë, pastaj rruga prej aty deri në qytet, ndërtesat e reja, si dhe hoteli ku unë po qëndroj. Kujtoj se në vitin 1999 nuk e di që kishte ndonjë hotel tjetër pos ‘Grandit’”, u shpreh ai.

Ndërsa kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, e vlerësoi lartë kontributin e komandantit të parë të KFOR-it.

“Gjenerali Mike Jackson është gjenerali i lirisë së Kosovës, që ka bërë gjëra të mëdha për lirinë tonë dhe ne i jemi mirënjohës”, ishin fjalët e Veselit për mysafirin.

I pari i Kuvendit e njoftoi gjeneralin Jackson se me iniciativën e Universitetit të Prishtinës atij do t’i ndahet titulli i nderit “Doctor Honoris Causa”.