I dyshuari për vjedhje

Ja sa ar dyshohet se vodhi personi që iu publikuan fotot

Një muaj paraburgim është masa që ka caktuar Gjykata Themelore në Pejë – Dega në Deҫan ndaj të pandehurit Xh.Th., i dyshuar për vjedhje të rëndë.

Në njoftimin e saj, Gjykata thotë se për shkak të dyshimit të arsyeshëm se: “Me datë 09.02.2018, rreth orës 20:15 në shtëpinë e të dëmtuarit I.D, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore me depërtim ka hyrë në shtëpinë e të dëmtuarit dhe ka marrë të hollat në shumë prej 7.400 € dhe sende të tjera si një zingjir ari, një rreth dore të arit, dy pale vath të arit dhe dy unaza të arit, të gjitha këto në vlerë prej 7.540 € dhe pa e vërejtur askush ka ikur nga vendi i ngjarjes”.

Me këto veprime i pandehuri Xh.Th dyshohet se ka kryer veprën penale vjedhje e rëndë.

Të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji, njofton Gjykata e Pejës.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

I kontaktuar nga KALLXO.com, zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, ka thënë sot se kanë filluar hetimet ndaj dy të pandehurve Xh.Th. për veprën penale “Vjedhje e Rëndë” dhe të pandehurit A.P. për veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale”.

Nikçi tregoi që kërkesa për caktimin e paraburgimit është bërë për të pandehurin Xh.Th., ndaj të cilit edhe është mbajtur seanca e procedurës paraprake.

KALLXO.com ka raportuar rreth arrestimit të dy personave të dyshuar për vjedhje të rëndë.

https://kallxo.com/dy-te-arrestuar-per-vjedhje-te-renda-ne-peje/

https://kallxo.com/policia-shenon-sukses-arreston-te-dyshuarin-e-fotografise/

https://kallxo.com/foto-policia-kerkon-ndihme-ne-identifikimin-e-te-dyshuarit-per-vjedhje/