Presidenti maqedonas, Gjorge Ivanov. Foto: president.gov.mk

Ivanov nuk e dekreton Marrëveshjen për emrin

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov ka vendosur të mos e dekretojë Marrëveshjen për emrin “Maqedonia e Veriut”, të arritur mes qeverive të Maqedonisë dhe Greqisë, me të cilën zgjidhet kontesti prej dy dekadave e gjysmë.

Në arsyetimin e presidentit thuhet se marrëveshja është antikushtetuese dhe se çdo zyrtarizim, sipas kreut të shtetit, paraqet vepër penale.

“Nuk kam mandate të nënshkruaj dekretin për shpalljen e ligjit për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje. Një nga shtyllat e politikës programit tim zgjedhor nga viti 2014 është se nuk pranoj ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim ndryshimin e emrit kushtetues. Nuk pranoj ide apo propozime që do të rrezikonin identitetin nacional maqedon, veçoritë e kombit maqedon, gjuhën maqedone dhe modelin maqedonas për bashkëjetesë”, thuhet në komunikatën e presidentit Gjorge Ivanov.

Sipas tij, Marrëveshja për emrin është në kundërshtim edhe me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, pasi në to sipas Ivanovit, flitet për “dallime rreth emrit të shtetit dhe jo për dallime siç flitet në këtë marrëveshje”.

Marrëveshja, thuhet më tej në komunikatë, nuk ka bazë kushtetuese dhe nuk është ratifikuar në përputhje me Kushtetutën.

“Sipas nenit 118 të Kushtetutës së Maqedonisë, marrëveshjet ndërkombëtare që janë ratifikuar në përputhje me Kushtetutën, janë pjesë e rendit të brendshëm juridik…Ligji për ratifikimin e marrëveshjes është në kundërshtim me nenet 51, 118 dhe 119 të Kushtetutës”, thuhet në komunikatë.

Presidenti Ivanov vlerëson se marrëveshja e sjell Maqedoninë në pozitën e shtetit të nënshtruar dhe të varur nga një shtet tjetër, përkatësisht nga Republika e Greqisë.

“Sipas nenit 308 të Kodit Penal, qytetari që e sjell vendin në pozitën e të nënshtruarit apo të varësisë ndaj ndonjë shteti tjetër, do të dënohet me së paku 5 vjet burg. Zyrtarizimi i kësaj marrëveshjeje krijon pasoja juridike që janë bazë për vepër penale”, vlerëson kreu i shtetit.

Marrëveshja për emrin ishte ratifikuar nga Kuvendi i Maqedonisë të mërkurën e kaluar dhe për të kishin votuar 69 deputetë.

Në bazë të Kushtetutës, në rast të mosdekretimit, ligji sërish kthehet për votim, dhe nëse sërish votohet, atëherë presidenti është i obliguar ta dekretojë, në të kundërtën bën shkelje ligjore.