Takimi i Haradinajt me investitorët italianë | Foto: ZKM

Italianët Interesohen për Energji të Ripërtëritshme në Kosovë

Ramush Haradinaj u takua sot me biznesmenë italianë të kompanisë “Consorzio Servizi Integrati” që janë të interesuar të investojnë në Kosovë në energji të ripërtëritshme.

“Jemi duke punuar në përmirësimin e legjislacionit përkatës, i cili do të krijojë lehtësira dhe do të favorizojë investitorët e brendshëm dhe të jashtëm, dhe për këtë kemi edhe Ligjin për Investime Strategjike”, u tha Kryeministri Haradinaj investitorëve, sipas një komunikate të lëshuar nga zyra e tij.

Haradinaj u tregoi investitorëve italianë se Kosova ka arritur marrëveshje për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, por shtoi se “energjia alternative është një prej burimeve shumë të rëndësishme që do të ndikojë edhe në ruajtjen e ambientit”.

Sipas komunikatës, “investitorët italianë falënderuan Kryeministrin për gatishmërinë që qeveria t’u krijojë hapësirë dhe kushte më të mira investimeve nga jashtë”.

Po sot në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, Ramush Haradinaj u bëri thirrje organizatave që janë kundër shfrytëzimit të qymyrit dhe për energji alternative që të mos mërziten, pasi deklaroi se projekti në energji i favorizon edhe këto forma të energjisë.

Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) dje konstatoi se termocentrali i ri do të djegë të ardhmen e Kosovës.

http://kallxo.com/kosid-termocentrali-ri-te-djege-te-ardhmen-e-kosoves/