Isufi: Të gjithë kriminelët të marrin dënime maksimale

Në seancën e jashtëzakonshme për rastin e një të miture  në Drenas që dyshohet se u abuzua seksualisht, ka folur edhe Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi.

Ai tha se drejtësia në këso raste duhet të veprojë sipas ligjeve në fuqi.

“Kërkojmë që drejtësia të veprojë ashtu siç duhet, në bazë të ligjit. Jemi të gjithë këtu prindër, dhe duhet ta ndjemë njësoj e nuk duhet të bëjmë dallime” ka thënë Isufi.

Më tej, ai ka thënë se ngjarjet e tilla si ajo në Drenas, nuk duhet të përsëriten.

“Duhet të kërkojmë nga institucionet edukativo- arsimore që të shtohet kujdesi. Nuk duhet të ketë më devijime të tilla. Të gjithë ata kriminel që bëjnë veprime të tilla, duhet të marrin dënime maksimale sipas ligjeve në fuqi. Duhet të kemi funksionim si duhet të institucioneve tona” u shpreh Isufi gjatë seancës së sotme.

Ai ka përfunduar fjalimin duke u bërë thirrje të gjitha grave dhe vajzave që janë pre e ngacmimeve apo abuzimeve seksuale, që t’i lajmërojnë rastet në organet kompetente.

“Inkurajojmë gratë dhe vajzat që mund të jenë pre e ngacmimeve, të lajmërojnë institucionet përkatëse” tha ai.

Ndërkaq, deputetja Nismës Socialdemokrate, Albulna Balaj – Halimaj tha se ajo se rasti i abuzimit të së miturës në Drenas është shkelje e etikës profesionale.

Deputetja ndër të tjerash ndau një rrëfim personal.

“Ky fjalim është tejet personal në disa momente por e kam pasur të arsyeshme të diskutoj në këtë mënyrë. Kenza, vajza ime e cila ka mbushur 5 vjet kishte frikë nga alarmi i policisë.  Më është dashur kohë e gjatë  ta bindë atë që policët janë mbrojtësit tanë dhe sa herë kemi nevojë janë aty për të na ndihmuar”, tha ajo.

Sipas deputetes vajza e saj tash është e bindur me fjalët e nënës.

“Ajo tashmë policët i sheh si heronj.  Është mjerim që sot të mos ti them fëmijës  tim që je e mbrojturnga ata. Kush më garanton se unë nuk po gaboj”, theksoi deputetja.