Isufi: Pal Lekaj nuk është krijues i monopolit

Kuvendi i Kosovës ka filluar seancën e jashtëzakonshme për ndërprerje të monopolit të homologimit.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, kritikoi deputetët për fajësim të ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj lidhur me monopolin.

“Pal Lekaj nuk është krijues i kësaj situate, por janë ata që e kanë pasur pushtetin ne këto 10 vite, edhe më së paku kanë të drejtë të flasin ata të cilët kanë ushtruar autoritetin edhe nuk i kanë bo ndryshimet, në vitin 2009 ka filluar homoligimi me të njëjtën kompani dhe në të njëjtën mënyrë” tha ai.

Sipas Isufit e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund kësaj gjendje është ndryshimi i  Ligjit për Automjete.

“Në vitin 2017 ne kemi Ligjin për Automjete që i lejon fushë veprimtarinë kësaj kompanie e cila edhe më tutje është në angazhim, merreni nenin 34 edhe shikojeni pra , pse keni leju me ndodh kjo. E vetmja mënyrë për me e ndryshu këtë gjendje është ndryshimi i Ligjit për Automjetet”, tha ai.

Tutje Isufi përmendi edhe disa probleme të tjera në këtë drejtim të cilat ai i konsideroi absurde.

“Poashtu, ne jemi kundër monopolit sepse nuk është mirë që në një shoqëri demokratike të kemi monopol, por duhet ta ndryshojmë ligji. Poashtu jemi kundër centralizimit, pse duhet vetëm në një qendër të bëhet homologimi kur ka mundësi të hapen disa qendra dhe të mos detyrohen njerëzit të paguajnë plus transporte”, shtoi ai.

Çmimet e larta si dhe detyrimi që edhe automjetet e reja të homologohet poashtu janë probleme sipas shefit të grupit parlamentar të AAK-së.

“Poashtu, nëse cmimet janë më të lartat edhe se disa vende të BE, kjo nuk ka kuptim me nivelin standardit të jetesës sonë. Edhe këtu duhet te veprojmë që te ndryshohet gjendja.  Është absurde që një automjet i ri i homoguar në cilin do vend tjetër, me u homolgu prapë këtu, me u harxhu. Kjo nuk është aspak në rregull”, theksoi ai.

Sipas tij edhe në Kuvend ka përfitues të cilët janë të lidhur me këtë kompani.

“Ka përfitues që janë të lidhur me kompaninë, mos u fshiheni, dilni e tregoni, qeveri e ka marrë gjendjen komplet qysh e keni pru ju, Qeveria i propozon ligjet, ama na si Kuvend mundemi me i ndryshu e plotësu. Për 1 javë mundemi më i ba ndryshimet e duhura”, shtoi Isufi.

Diskutimi për çështjen e monopolit në homologim po vjen rreth një vit pasi Emisioni ‘Drejtësia në Kosovë’, kishte realizuar hulumtim për këtë temë.

Ministria e Infrastrukturës është kujdesur që të trashë edhe më shumë monopolin e homologimit. Për 10 vjet, e njëjta ministria ia kishte garantuar monopolin në homologim të veturave kompanisë EuroLab, duke ia caktuar edhe shumë që qytetarët do të obligohen që ta paguajnë për homologim.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” ka gjetur se kjo praktik mund të vazhdojë edhe në të ardhmen, pasi Ministria e Infrastrukturës e ka hartuar një Udhëzim Administrativ përmes të cilit e vështirëson hapjen e tregut për këtë Homologim. Përveç kësaj, Ministria e Infrastrukturës e ka autorizuar pa procedurat konkurruese të njëjtën kompani, EuroLab për të kryer edhe “A-testimin” e veturave, që tash do të quhet homologim individual. Deri më tani “A-testimi” është bërë nga Fakulteti Teknik i Universitetit të Prishtinës.

Trashja e monopolit në homologim