Isufaj: Pa Kompromis me Prokurorët e Padisiplinuar

Kryesuesi i ri i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, tha se do të angazhohet që prokurorët ta kryejnë punën e tyre sipas mandatit që kanë dhe se të gjithë ata që nuk e kanë vendin në sistemin prokurorial do të largohen.

“Ne do të orientohemi në radhë të parë për cilësi, nuk do t`i japim prioritet sasisë në punë,” ka thënë Isufaj për “Drejtësia në Kosovë”.

I pyetur nëse do të hetohet kontrata për autostradën, Isufaj ka deklaruar se nuk i di detajet nëse është duke u hetuar apo nëse do te hetohet një kontratë e tillë, por u bëri thirrje prokurorëve që të hetojnë edhe kontrata të tilla milionëshe.

“Unë i inkurajoj të gjithë prokurorët, ose nëse rasti është në proces, prokurorin që e ka çështjen le të vijojë me hetimet në mënyrën më të mirë të mundshme. Në mënyrë profesionale dhe le të nxjerrë një rezultat i cili është real. Dhe nëse ka dyshime dhe vërtetohen dyshimet le të ngre edhe aktakuzë,” tha Isufaj.

Isufaj u zgjodh në krye të Këshillit Prokurorial të Kosovës më 14 janar, duke e mundur kundërkandidatin Bahri Hyseni.

http://kallxo.com/blerim-isufaj-mund-bahri-hysenin-per-kreun-e-keshillit-prokurorial/

Ai deklaroi se për hetimin e çështjeve të komplikuara duhet kohë.

“Ka prokurorë të guximshëm, ka prokurorë të dijshëm, por hetimi i rasteve të rënda kërkon kohë, i ka sfidat e veta, por ne i inkurajojmë prokurorët që të punojnë maksimalisht në këtë drejtim,” ka thënë kryesuesi i ri i KPK-së Blerim Isufaj.

Lidhur me disiplinimin e prokurorëve të cilët kanë rënë ndesh me etikën e punës së tyre, kryesuesi i KPK-së ka deklaruar se nuk do të ketë kompromis për të gjithë ata prokurorë të cilët nuk e meritojnë të jenë pjesë e sistemit prokurorial.

“Secili rast i ka specifikat e veta, por ju siguroj që ai i cili e meriton për t`u larguar nga puna, ju garantoj se nuk do të ketë kompromis në këtë drejtim dhe ka mu largu menjëherë,” tha Isufaj.

Në nëntor të vitit të kaluar, “Drejtësia në Kosovë” shfaqi hulumtimin për prokurorin Rexhep maqedonci, i cili u dekretua nga Presidentja në kohën kur ishte suspenduar për shkelje disiplinore.

TË PATHËNAT E DEKRETIMIT TË PROKURORËVE

Ai premtoi se vendimet e komisioneve disiplinore të shqiptuara ndaj prokurorëve “do të bëhen publike në momentin kur e konsiderojmë se mund të bëhen publike”.

Isufaj ka deklaruar se do të angazhohet që numri prej 204 prokurorëve aq sa janë të paraparë të plotësohet sa më parë, mirëpo nuk ka specifikuar kohën se kur pritet të ndodhë kjo.

“Aktualisht i kemi 149 prokurorë. Vende të lira për prokurorë i kemi 204. I kemi në proces të përzgjedhjes prokurorët e minoriteti tserb që presin të integrohen. Në proces të dekretimit janë 15, do të shpallim konkursin edhe për nëntë të tjerë. Që do të thotë pa këtë minoritet i kemi edhe 40 vende të lira. Ne me shpejtësinë  më të madhe të mundshme do t`i plotësojmë në radhë të parë komisionet brenda KPK-së që janë shumë të domosdoshëm për të krijuar mundësinë e krijimit sa më të shpejtë  për me i plotësuar edhe vendet e lira të punës,” ka thënë Isufaj.

I pyetur nëse në përbërjen e re të KPK-së do ketë skena të ngjashme më ato të cilat janë parë tek këshilli i kaluar, ai ka deklaruar se nuk do të lejojë që të ketë grupe të interesit të cilat do e dëmtojnë punën e KPK-së.

“Se besoj, edhe nuk ka as vullnet prej asnjërit prej anëtarëve të Këshillit që të ketë diçka të tillë. Ne do të kemi mospajtime në ide dhe në mendime që është krejt normale dhe krejt këtë në funksion të bërjes së punëve më të mira. Por assesi nuk do të ketë nëse mund ta quaj kështu grupe të interesit,” ka deklaruar Isufaj, transmetoi “Drejtësia në Kosovë”.

Për problemet dhe polemikat mes anëtarëve të përbërjes së kaluar të KPK-së “Drejtësia në Kosovë” shfaqi emision në marsin e vitit të kaluar.

Isufaj ka shtuar se politikën si kryesues i Këshillit do ta orientojë në frymën e një  bashkëpunimit të sinqertë dhe korrekt me të gjithë anëtarët e rinj të Këshillit Prokurorial të Kosovës. [interaction id=”56c040333c42ab681c920d21″]