Z Mobile dhe Telekomi i Kosovës

Istrefi tregon se çfarë do të ndodhë me numrat e Z- Mobile

Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi sot  ka thënë se e shpallin kontratën me Z Mobile të përfunduar pa asnjë obligim kontraktual.

Istrefi ka thënë po ashtu se janë në bisedime me ARKEP për numrat e Z-Mobile duke shtuar se nuk ka nevojë për panikë dhe dezinformata.

“Sot gjatë ditës kemi qenë në kontakt me ARKEP, i lus të gjithë që mos me bo panik, ose dezinformatë, ne jemi duke punuar bashkë me ARKEP in, do të ketë një periudhë tranzicioni nga 30 deri 120 ditë, në asnjë mënyrë nuk do të ndërpriten numrat”, ka thënë Istrefi.

Kryetarja e bordit të Telekomit, Besa Shatri Berisha, ka njoftuar se kontrata me Z-Mobile është shkëputur.

Ajo ka thënë shkëputja e kontratës ka ardhur si pasojë e mos arritjes së marrëveshjes për gjashtë muaj.

“Bordi i drejtorëve njofton se pas një periudhe 6 mujore nuk kanë arritur marrëveshje mbi kushtet e reja prandaj sot kryeshefi ekzekutiv ka dërguar njoftim me vendim të Bordit për shpallje të pasukseshme për përfundim të kontratës me Z Mobile nga data 31 korrik”, ka thënë Shatri Berisha.

Borxhi milionësh dhe negociatat për kontratën

Ndërmarrja publike dhe Z Mobile kishin nënshkruar marrëveshje në janar të vitit 2009 me të cilën Z Mobile bëhej operator virtual i Telekomit.

Mospajtimet mes këtyre palëve përfunduan në Arbitrazh. Si rrjedhojë, këtë vit, 10 vite pas marrëveshjes, Telekomi gjendet para një borxhi rreth 26 milionë eurosh ndaj Z Mobile.

Më 4 maj të këtij viti kompania Z Mobile ka paralajmëruar kompaninë publike Telekom se do ta dërgojnë borxhin prej rreth 26 milionë euro në përmbarim.

Në atë situatë, Kryesuesja e bordit të Telekomit tha se borxhi mund të kushtëzojë edhe vazhdimin e kontratës me Z Mobile.

Më pas Z Mobile shtyu afatin për pagesë deri më 15 qershor 

Telekomi i Kosovës tani po synon të hyjë në kredi për të paguar borxhin ndaj biznesit të Blerim Devollit, Z-Mobile.

Në këto momente, Z Mobile e ka jetësuar paralajmërimin dhe ka inicuar procedurë të përmbarimit ndaj Telekomit.

Në anën tjetër, menaxhmenti i Telekomit është zotuar se nuk do të ketë  vazhdim të kontratës me Z Mobile.

Punëtorët e kësaj ndërmarrje kanë dhënë ultimatum që të ketë zotim me shkrim për mosvazhdimin e çfarëdo kontrate me këtë kompani, ndryshe futen në grevë të përgjithshme.

Arbitrazhi 

Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon” dhe ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës zanafillën e ka në marrëveshjen e lidhur më datë 16 janar 2009. Marrëveshja parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”.

Mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim.Mospajtimet përfunduan në Arbitrazh. Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.

Tribunali i Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare sipas padisë së kompanisë “Z-Mobile”, më 9 dhjetor 2016 vendosi në favor të kësaj kompanie. Sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomi i Kosovës obligohej që t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobile”-it, si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G. E për dëmin e shkaktuar, Arbitrazhi e obligonte Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.

https://kallxo.com/gjnk/cfare-ndodh-me-numrat-e-z-mobile-pas-shkeputjes-se-kontrates-nga-telekomi/