Bedri Istrefi

Istrefi: Nuk kemi marrë asnjë propozim nga Z- Mobile për vazhdim të kontratës

Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi rreth propozimit për kontratë të re dhe negociatat gjashtë mujore rreth saj, ka thënë se nuk kanë marrë asnjëherë asnjë ftesë për takime nga Z-Mobile në këtë periudhë.

Ai ka shtuar se pavarësisht 20 pikave të propozuara nga Telekomi, vetëm në 3 prej tyre ka pasur pajtueshmëri edhe nga Z-Mobile. Po ashtu Istrefi ka thënë se ata nuk kanë marrë asnjë propozim nga Z- Mobile në lidhje me ndonjë marrëveshje të re.

“Nga marrëveshja e MSA së kemi obligim që të dy kompanitë të krijojmë ekipe negociuese dhe për 6 muaj kemi negociuar dhe nga Telekomi kanë rrjedhë 20 propozime për një kontratë të re. Prej 20 vetëm në 3 janë pajtuar, kemi marrë përgjigje, asnjë propozim, asnjë ftesë për takim në periudhën 6 mujore nuk ka pas dhe pas përmbylljes të periudhës 6 mujore nuk janë pajtuar me ofertën tonë që e kemi hartuar në bashkëpunim me ekspertët”, ka thënë Istrefi.

Dje, Istrefi nuk ka pranuar të flas në lidhje me këtë proces. Istrefi ka deklaruar se para 30 korrikut nuk guxon të deklarohet pasi për këtë është i obliguar sipas MSA-së.

“Sot është i 29-i, data 30 është nesër, para datës 30 asnjë informacion lidhur me procesin nuk guxoj me u deklaru për shkak se jemi të obliguar sipas MSA-së në mirëbesim se një fjalë me mu nxjerrë prej kontekstit që e plasoj për opinionin dhe mundet me i shkaktu dëme Telekomit në të ardhmen”, ka deklaruar Istrefi për Kallxo.com gjatë ditës së djeshme.

Para dy ditësh, “RTK Live” ka publikuar informacionin se Telekomi i Kosovës i ka propozuar Z-Mobile një kontratë të re me kushte të reja. Sipas tyre, 80 për qind e fitimit do t’i takojë Telekomit dhe 20 për qind Z-Mobile, ndryshe nga kontrata e kaluar, nga e cila, 77 për qind i kanë takuar Z-Mobile dhe 23 për qind Telekomit të Kosovës. Gjithashtu, në artikullin e “RTK Live” thuhet se kohëzgjatja e kontratës së re do të jetë 3 vjet dhe jo 10 siç ka qenë kontrata e kaluar.

Istrefi është pyetur në lidhje me këto informacionet të publikuara nga “RTK Live” për kontratën e re, por ai ka thënë se shumë nga detajet e publikuara të kontratës nuk përputhen me gjendjen aktuale.

“Unë e pashë që RTK i kanë qitë po shumë sene sa më ka ra me i pa nuk përputhen me gjendjen faktike”, është shprehur Istrefi.

Nga ana tjetër, drejtuesit e sindikatës së punëtorëve në Telekom, kanë paralajmëruar që sot do të futën në grevë të përgjithshme për parandalimin e lidhjes së kontratës së re me “Z-mobile”, ku edhe do të kërkojnë nga gjykatat e vendit që mos të lejojnë ekzekutimin e vendimit të Arbitarzhit për përmbarim.

https://kallxo.com/telekomi-nuk-e-vazhdon-kontraten-me-z-mobile/

https://kallxo.com/istrefi-tregon-se-cfare-do-te-ndodhe-me-numrat-e-z-mobile/

https://kallxo.com/kryetari-i-sindikates-se-ptk-se-sot-eshte-dite-e-vecante-per-punetoret/

.